Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj takoi homologun e tij zv.ministrin Agim Nuhiu. Takimi ishte me kërkesë të palës maqedonase, për njohjen me detajet e ligjit për “Vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA” ose i njohur ndryshe si Vetting-u.
 
Hodaj bëri një prezantim të gjithë hapave të ndërmarrë për nisjen e procesit të Vetting-ut dhe ecurinë aktuale. Ai theksoi se ky proces erdhi si domosdoshmëri për t’u bashkëngjitur gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet, punonjës policie me të njëjtat standarde.
 
Nga ana tjetër zv.ministri Nuhiu përgëzoi homologun shqiptar për hapat e ndërmarrë në këtë proces. Ai deklaroi se është arritur një kompromis në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe kërkohet që të nisë procesi i Vetting-ut.
 
Ndër të tjera Hodaj deklaroi se në procesin e Vetting-ut një rol të rëndësishëm kanë pasur asistencën ndërkombëtare nga misionet ICITAP dhe PAMECA.
 
E pranishme në takim ishte edhe Drejtoresha e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Anila Trimi, e cila e njohu palën maqedonase mbi punën e shërbimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re