EMISIONI VETTING

Por ku qëndron ngërçi që ka prodhuar prokura e falsifikuar?
Në korrik 2006, me anë të vendimit 442, Gjykata e Lezhës, me Gjyqtar Jak Ndoka, i shpalli të pavlefshme certifikatat  e pronësisë të gjeneruara nga dokumentet e prokurës false dhe i vendosi si detyrim Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë që të bënte regjistrimin e sipërfaqes prej 101 mijë e 700 metra katrorëve në favor të gjithë bashkëpronarëve.

Por, prej  18 vitesh ky vendim nuk po gjen zbatim nga Zyra e Regjistrimit ose Agjencia Shtetërorë e Kadastrës. Sipas avokates Margarita Kola, problemi tashmë nuk është te drejtësia, por te çështja e regjistrimit të pronave.

Sipas avokates Margarita Kola: “Gjykata ka shpallur pavlefshmëri të kontratave dhe ka zgjidhur sipas ligjit pasojat e pavlefshmërisë, duke thënë se të detyrohet  edhe Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme në atë kohë, që sot është Zyra e Kadastrës Shtetërore, të bëj regjistrimin në emër të paditësit të pronës që është njohur si pronar.

Në këtë moment ka nxjerrë edhe urdhrin e ekzekutimit, pasi vendimi ka vajtur edhe në gjykata të tjera, pasi është apeluar si këto dhe në këtë moment vendimi ka marrë ligjshmëri të plotë. I ka dhënë të drejtë pronarit legjitim për pronën e tij dhe ka detyruar zyrën e Kadastrës të bëj regjistrimin. Problemi tashmë është sipas bisedës me qytetarin është fakti që nuk ekzekutojnë vendimin e gjykatës. Ky është problemi.”

Ky nuk është problemi i vetëm që ka ardhur nga zyra e regjistrimit, por edhe pasojat nga prokura e falsifikuar, të cilat kanë sjellë transaksione të shumta nga persona të ndryshëm mbi pronën në Malin e Shëngjinit.

Sipas avokatit Flamur Çollaku: “Çfarë ka ndodhur në këtë rast? Ky vendim nuk gjen zbatim ( i referohet vendimit të gjykatës) sepse nuk është në gjendjen që kur është bërë gjyqi në 2006, ndërkohë që ata kanë vazhduar t’i bëjnë transaksionet  e pronës që më…2005.

Kur po zhvillohesh gjykimi i 2006 për bashkëpronësinë, personat kanë vazhduar ta shesin dhe ta transferojnë pronën te të tretët, edhe te të katërt sepse këtu ndodh një fenomen shumë interesant.

Kanë bërë shitjet në 2005 njëri nga këta të pandehurit dhe përsëri, po ky ka blerë pronën, ka marrë pronë prapë. Po ky që i ka shitur, ky i ka blerë prapë.Jemi në kuadër të mashtrimit, unë të shes ty pronë dhe përsëri po e blej unë. E heq  pronën nga vetja dhe kur qetësohet situata e marr prapë. Këtu duhet të rifillojë një hetim prapë për të gjitha transaksionet që janë bërë të mëvonshme dhe të rregullohen pasojat ose të rregullohen në rrugë civile, vendim gjykate duke i thërritur të gjitha palët…Jemi në një situatë që qytetari është shumë në vështirësi.”- shprehet avokati Çollaku.

Denoncuesi Nik Palokaj nuk është mjaftuar me vendimin e gjykatës Lezhë dhe ka kërkuar drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrimit që të bënte regjistrimin e pasurisë, por nuk ka arritur që të rimarrë pronën.

Sipas denocuesit Nik Palokaj: “Zyra e Përmbarimit e mori shtruar”. Nga Zyra e Regjistrimit ka ardhur e njëjta përgjigje, e cila ia vesh përgjegjësinë faktit se transaksionet e kryera mbi tokën janë realizuar përpara vendimit të Gjykatës së Lezhës në 2006.

Sipas përgjigjes në vitin 2016, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka deklaruar se vendimi 442 i vitit 2006 është i pavlefshëm pasi prona është tjetërsuar te palë të treta.

Gjithashtu, ish-Zyra Qendrore asokohe deklaronte se vendimi nuk sjell asnjë pasojë juridike dhe në vendimin e Gjykatës nuk është marrë parasysh interesi i palëve të treta.

Sipas avokates Margarita Kola, mos zbatimi i këtij vendimi ka pasoja serioze për Zyrën e Regjistrimit.

“Mos ekzekutimi i vendimit të gjykatës është edhe shkelje penale dhe personat ose institucionet që nuk ekzekutojnë vendimin e gjykatës dalin përgjegjës persona të caktuar dhe dënohesh me ligj, për mos zbatim ose pengim të zbatimit të vendimit të gjykatës. Kjo është mënyra e parë si munde ta zgjidhësh.

Mënyra e dytë është ti drejtohesh përsëri Zyrës së Regjistrimit ose Kadastrës Shtetërore përsëri me një vendim gjykate, i cili është i shoqëruar me një urdhër ekzekutimi. Në qoftë se pritet përgjigjja pasi bëhet me e- Albania, përgjigjja dhe nëse shprehet se nuk ta regjistron, do i drejtohesh gjykatës administrative për të urdhëruar regjistrimin në këtë rast. Pra, këto janë dy mënyrat për ta zgjidhur çështjen!

Problemi për mua qëndron që në momentin që ka një vendim gjykatë, Zyra e Regjistrimit e atëhershme, ASHK-ja e sotme e ka pasur detyrimin ta regjistrojë. Unë nuk e di ku e marrim guximin ata punonjës atje, që të mos të zbatojnë një vendim gjyqësor. Nuk e di ku e gjejnë kurajon, që kjo zyrë të shkelë ligjin kaq hapur. Është e pa tolerueshme të mos zbatosh një vendim gjykate. Nuk e di në çfarë shteti mundet të ndodhë kjo”, thekson avokatja Kola.

Sipas ish-Zv.Kryeregjistruesit Flamur Çollaku, kjo situatë është e vështirë dhe kërkon hetim për gjithë zinxhirin e vendimeve.

Sipas avokatit Flamur Collaku: “Tani çfarë gjeneron e gjitha kjo? Vijmë në fund dhe është ndarë e gjitha kjo pasuri në 45 pasuri, pra 101 700 m2, tani janë 45 pasuri të tjera, por kanë edhe personat që janë dënuar vazhdojnë të kenë pronësi mbi disa pasuri.
Tani rregullimi këtu është shumë i vështirë, sepse mjetet ligjore për ti rregulluar janë vetëm për të vënë në lëvizje gjykatat, edhe njëherë gjykatën nga e para, për të rregulluar pasojat që duhet ti kishin rregulluar organi i akuzës dhe gjykatat. Të gjitha këto veprime duhet ti kishin kaluar gjykatat, të ishin kryer nul. Sepse çfarë ndodh?

Mbas vitit 2008 janë kryer përsëri transaksione. Kur dokumentat kanë dalë të falsifikuara, prokurat kanë dalë të falsifikuara, vazhdojnë transaksione edhe mbas 2008 edhe sot jemi te 45 pasuri. Dhe Kadastra faktikisht me iniciativën e saj nuk duhet të bëjë asnjë veprim. Faktikisht ajo shkel ligjin sepse 30 ditë ka të drejtë ti bllokojë,  jo më shumë, por ajo duhet të parandalojë, të paktën ku jemi të frenohet.

E vetmja mënyrë ligjore për këtë punë është të vihet në lëvizje gjykata nga e para, por që të vësh në lëvizje gjykatën për 45 pronarët që i kanë sot, të cilët i kanë marrë mbi veprime të falsifikuara, është një gjë shumë  e vështirë, sidomos nga funksionimi i gjykatave, që duhen 15 vjet për të mbaruar një gjykim në të gjitha shkallët, është shumë e vështirë. Kjo është pasojë e një gjykimi jo të thelluar dhe një hetimi jo të thelluar, të prokurorisë dhe të gjykatës.

Për “Vetting”, Nik Palokaj pohon se mori një përmbarues privat për të rimarrë pronën e tij, por përsëri nuk arriti të ndryshonte gjë pasi e njëjta përgjigje vinte nga Zyra e Regjistrimit ose siç quhet ndryshe sot Kadastra.

Në disa raste, përmbaruesi privat i ka vendosur gjobë drejtuesit të  Zyrës së Regjistrimit Lezhë, Bledar Mulaj me vlerë 50 mijë lekë. Sipas juristëve, Kadastra ka përgjegjësi për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës pasi mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore nga prokuroria, por edhe nga kadastra Lezhë, vazhdon të prodhojë pasoja juridike.

Sipas avokates Margarita Kola: “Në qoftë se ASHK nuk e ka regjistruar, të paktën duhet ta bllokojë sepse ka një vendim gjykate, pasi sikurse themi ne, ka vendime gjykate me barrë sikurse e themi ne ose me kufizime dhe nuk lejon të bëhet asnjë tjetërsim i asaj prone. Në qoftë se nuk e ka bërë këtë ASHK, janë dyfish në shkelje të ligjit.”

Megjithatë ajo që hedh dyshime të forta për implikimin e Zyrës së Regjistrimit lidhet me kryerjen e transaksioneve edhe mbas vendimit të Gjykatave, ku janë kryer transaksione për shit-blerjen e këtyre trojeve në vitin 2012 ka lidhje me emrat e implikuar në transaksione.

Sipas deklaratave të Nik Palokaj, personat që qëndrojnë mbas këtyre transaksioneve janë ish-Prokurorë, ish-Deputetë dhe ish kryetar komunash.

Sipas avokatit Flamur Çollaku: “Kjo duhet parë nga SPAK sepse këtu ka persona me detyrë shtetërore që kanë prona mbi këto transaksione.”

Por kush janë personat që kanë përfituar nga këto troje? Sipas denocuesit Nik Palokaj: “Pra, me gjykatat unë nuk kam pse me u ankue sepse ma kanë dhënë të drejtën, kurse prokuroria dhe zyra e regjistrimit më kanë trazue shumë, jo trazue por nuk më kanë kryer asnjë punë, sepse sa të jetë Gjin Nik Lekaj u ruajte autoriteti i tij.,, dhe shefin e krimit ekonomik e transferuan, e dërguan në Jug”.

Më 14 shkurt 2014, Nik Palokaj merr një listë të gjatë transaksionesh të realizuara mbi pronën e tij, informacion zyrtar i ardhur nga Kadastra.

Edhe pas arrestimit të disa personave, Zyra e Regjistrimit kishte kryer veprime, duke shkuar në numrin total të 103 transaksioneve. Madje disa nga gjeneralitetet me emrat e personave, të cilët kanë blerë pronat, sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, nuk ekzistojnë.

Problemet me pronën nuk janë ndalur vetëm me tjetërsimin, por edhe me shkatërrimin dhe djegien e mijëra hektarë pyjesh. Vendi ku ka tokën Nik Palokaj konsiderohet si një pasuri e jashtëzakonshme, por fatkeqësisht vijon të jetë peng.

Sipas denocuesit Nik Palokaj: “Kjo ka qenë krejt me pisha, i vunë flakën qëllimisht sepse që të shfrytëzoje do duheshin gjithë ato leje nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, por edhe nga Ministria e Bujqësisë”.

Konkretisht në gusht 2019, zjarri pushtoi zonën e Malit të Shëngjinit, të cilat sollën edhe angazhimin e forcave të ushtrisë së bashku me forcat zjarrfikëse dhe shërbimit pyjor, ku rrezikoheshin edhe zonat e banuara. Dëmet e shkaktuara nga zjarri në masivin pyjor të malit të Shëngjinit ishin të konsiderueshme dhe në atë kohë organet ligjizbatuese nisën edhe hetimet pasi kishte dyshime për zjarr vënie të qëllimshme.

Sipas avokates Margarita Kola: “Tani e di çfarë do ndodhi? Do ndodhi kjo gjë që ai person që e ka blerë pronën, i cili ia ka blerë një personi që nuk i kishte tokën me letra të rregullta , ai person do konfliktohet e personin, që ja ka blerë dhe nuk ka qenë pronari. Ndërsa ai personi atje kur gjykata të urdhëroi që pronari të marrë pronën nuk diskutohet. Ndërsa palët, që kanë blerë tokën në mënyrë të paligjshme me dokumente fallco dhe e ato që ja kanë shitur do përfundojnë nëpër gjykata.”

 Pasojat e pronave me probleme juridike

Pamundësia për të shfrytëzuar pronat për aq kohë sa janë të paqarta jurdikisht ka sjellë pasoja në zhvillimin ekonomik, por më së shumti ka sjellë konflikte sociale. Vitet e lëna pezull dhe pa përfitim nga ana e trashëgimtarëve kanë krijuar humbje të mëdha të familjarët që vijojnë të enden dyerve të institucioneve. Sipas juristëve, për vendimet e pazbatuara nga ASHK-ja duhet të kërkohet dëmshpërblim.

Sipas avokates Margarita Kola; “Në qoftëse qytetari do të drejtohet me një padi për dëmin e shkaktuar, që për kaq vite nuk e përdor dot pronën nuk mundet ta nxirrte në detyrim civil për arsyeje se ASHK nuk ia regjistron, ky institucion do i paguajë dëmin qytetarit. Po qytetari duhet të dijë se e ka këtë të drejtë dhe ky është një dëm I buxhetit të shtetit, për faktin se një atje është I papërgjeshëm që shkel ligjin, nuk I regjistron në kohë pasurinë, do të paguaj dëmin dhe fitimin e munguar.  Lekët do i paguaj institucioni dhe këto janë taksat tona. Qytetari duhet të kërkojë dëmin e shkaktuar plus fitimin e munguar.”

Vetë Nik Palokaj, si një nga ish-pronarët që ka paguar me para e kohë këtë proces, shprehet pesimist për atë që po ndodh me shtresën e tij që në këto vite më shumë është sorollatur, se sa ka arritur të përfitojë atë që i takon me ligj.

Sipas denocuesit Nik Palokaj: “Të rrish 10-12 vjet duke parë një pemë, e çel e rritet, e jo më unë që kam shpenzuar me avokat e përmbarues…”.

Zbatimi i ligjit për kompensimet e pronave, ka qenë një ligj që pronarët ose nuk e kanë ndjerë ose e kanë arritur me shumë mund e shpenzime, edhe pse mund ta kenë patur pronën me vendime gjykatash.

Nga 25 mijë pronarë në pritje për të marrë atë që iu takon, në harkun e vitit 2023 kanë aplikuar vetëm 329 prej tyre. Sakaq, puna e gjithë institucionit është përmbyllur me vetëm 9 dosje të ekzekutuara, gjysma e të cilave të ardhura si aplikime me kërkesë të veçantë ku shteti është ai që përfiton më shumë se pronari.

Një pengesë kryesore, sipas juristëve, kanë qenë betejat ligjore të institucionit që kanë pezulluar procesin e kompensimit. Në raportin vjetor të Agjencisë së Trajtimit të Pronave evidentohet se 2/3 e fondit të parashikuar për kompensimin e pronave nuk është ezauruar duke e kaluar fondin e mbetur prej 2.3 miliardë lekësh në buxhetin e Financave.

Ndryshe nga sa mund të thuhet për numrin e aplikimeve, ankesat e regjistruara janë me mijëra. Sipas raportit të auditit, brenda një viti janë depozituar 2.216 ankesa qytetarësh përmes platformës e-Albania për trajtim dosje me specialistin si dhe kërkesë për statusin dhe problematikat e dosjes.

Çfarë po ndodh me ligjin për pronën?

Me ndryshimet e bëra në vitin 2022 u rishikua skema e kompensimit për ato familje që preken nga ndryshimi i zërit kadastral. Pra, bëhet fjalë për ato familje që kanë patur një tokë, e cila aktualisht ka statusin e tokës truall por në momentin e konfiskimit rezulton jashtë vijës së verdhë. Në këto raste, ligji përcakton që pronarët të përfitojnë 10% të vlerës së kompensimit. Nga ndryshimet preken edhe ato familje që kanë përfituar më herët një pjesë të pronës, pra iu është kthyer. Nëse me ligjin e mëparshëm këto familje konsideroheshin të kompensuara, me skemën e re do të marrin 10% të diferencës ndërmjet pronës së mbetur dhe asaj të kthyer.

Teksa janë me mijëra qytetarët që nuk po arrijnë dot të zgjidhin problematikën e pronësisë së pasurive të paluajtshme, duke kërkuar zgjidhje nga shteti, si për ironi ky i fundit duket se është i zënë në të njëjtin “çark”.

Por problemi me pronat është dëgjuar rëndom të ketë individi por që dhe vet shteti të kishte probleme me pronat e tij kjo nuk ishte menduar ndonjëherë.

Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka dalë në përfundimin se nuk ka një inventar të plotë të pasurive shtetërore dhe publike, ndërkohë që procesi i regjistrimit të tyre është shumë larg objektivave.

Audituesit nënvizojnë se nga sektori i procedurave të transferimit të pronës shtetërore, për institucionet qendrore dhe ato në varësi të tyre që nga viti 2003 deri në 2022, janë miratuar 82 VKM, ndërsa për institucionet e pavarura janë miratuar 6 VKM.

“Në nivel qendror, referuar listave të miratuara në Republikën e Shqipërisë rezultojnë përafërsisht 16,572 prona, nga të cilat 11,385 prona i përkasin Shoqërive Anonime, me aksionarë shtet. Në total rezulton se nga 16,572 prona shtetërore të miratuara nëpërmjet 88 VKM-ve, vetëm 1302 prej tyre janë regjistruar ose 9%. Raportimi i shifrave në lidhje me pasuritë shtet bëhet përmes emërtesës “pronë”, por duhet theksuar se një pronë e pasqyruar në listat e inventarit të institucioneve shtetërore mund të përbëhet nga disa pasuri,” thuhet në raport.

Shkak për këtë situatë duket se janë kostot që shoqërojnë procedurën e regjistrimit të një prone. Për çdo procedurë pranë Kadastrës duhet të paguash një tarifë dhe kjo ngarkesë vlerësohet e papërballueshme nga bashkitë.

“Nga auditimi rezulton se pengesa kryesore në regjistrimin e pasurive shtetërore nga ana e bashkive është tarifa e regjistrimit. Transferimi i pronave me Vendime të Këshillit të Ministrave nuk është shoqëruar edhe me asistencë financiare, përmes përfshirjes së këtyre fondeve në fondin e pakushtëzuar apo në fondet specifike që bashkitë marrin për funksione të caktuara. Ndryshimet e reja ligjore, konkretisht Ligji 20/2020 ndonëse i kushton një rëndësi të veçantë në Kreun IV përditësimit, inventarizimit, transferimit dhe regjistrimit të pronave shtetërore, në nenin 43, parashikon se tarifa e regjistrimit për institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë e reduktuar. Por, ky përcaktim ligjor nuk është i reflektuar në Vendimin nr. 389, datë 13.5.2020 “Për miratimin e listës dhe të tarifave të shërbimeve kadastrale”, duke mos përcaktuar në asnjë dispozitë sesi do të bëhet ky trajtim i diferencuar përmes tarifave të reduktuara dhe në ç’masë do të jetë kjo tarifë,” thuhet në dokumentin e KLSH-së.

Lidhur me këtë problematikë është rekomanduar që së pari të jetë ASHK ajo që duhet të marri masa për të përcaktuar nivelin e reduktuar të tarifave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, duke e vlerësuar këtë nivel në bashkëpunim me Drejtorinë e Financave Vendore në Ministrinë e Financave, me qëllim që pagesa e këtyre tarifave të mos krijojë kosto të mëdha për buxhetet e bashkive.

Nga 260 000 prona shtetërore në territorin e Shqipërisë, 115 000 u janë transferuar institucioneve vendore e qendrore, por prej tyre vetëm rreth 20 000 rezultojnë të regjistruar në Kadastër.

Me kalimin e viteve, me transformimin e ekonomisë, me ndryshimet ligjore, me rritjen e numrit të trashëgimtarëve, gjërat në vend të marrin zgjidhje kanë pësuar komplikime të reja. Rasti i Nik Palokajt, që ia ka kushtuar 20 vite kësaj çështjeje është vetëm një prej atyre që sorollatet dyerve të institucioneve, pa mundur të shohë pronën e tij të lirë dhe të mund të ndërtojë aty atë që ka ëndërruar.

LEXO EDHE: 

Vetting/ Saga e pronarit mbetet që mbeti pa tokë! Si u ‘grabitën’ me letra false 101 dynym tokë në Shëngjin! Prokurori konstatoi abuzimin, por nuk asgjësoi dokumentet

Tre prokura false ‘zhdukën’ pronarët nga toka! Si u shitën 101 dynym tokë me çmimin qesharak prej 2 milionë e 500 mijë lekë! Procedura abuzive zbërthehet nga ekspertët e Vetting

Vetting zbulon shkeljet ligjore me pronën e Nik Palokajt! Avokatja: Gjykata i dha të drejtë, por prona u shit disa herë! Kush fshihet pas batërdisë me tokat

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re