Politika shqiptare është përfshirë në debatin e nxehtë mbi vettingun e saj. Palët që parreshtur akuzojnë njëra-tjetrën për abuzim me pushtetin apo lidhje me botën e krimit, thonë se janë të gatsëm t’i nënshtrohen një hetimi në funksion të të vërtetës.

Por si ka qenë gjykimi pa ndonjë dosje për ta, ai ndërtuar vetëm nga akuzat? Më e zellshme ka qenë gjithnjë PD. Falë karakterit të liderit të saj historik Berisha, i cili e ka akuzën ndaj kundërshtarit si identitet politik, prej saj nuk kanë rreshtur me qindra sosh në adresë të kundërshtarit. Nuk ka mbetur pas as PS, sidomos në ’97, ku, duke ia faturuar Berishës të gjithë veprimtarinë e skemave piramidale, gjë që çoi vendin në kaos.

I pari ka qenë Fatos Nano, që shkoi deri në burg për një akuzë pushteti, por që u cilësua si politike. Më vonë, pas ardhjes në pushtet, e cila u shoqërua dhe me një amnisti dhe çlirim nga akuzat, Nano do akuzohej rregullisht si i korruptuar nga Berisha në opozitë, por pa ju faktuar kurrë diçka me dosje. Pas ardhjes të PD-së në pushtet më 2005-ën, Nano, Angjeli, Duka e të tjerë që ishin pjesë qenësore e të gjithë ligjërimit akuzues të demokratëve në 8 vite opozitë, vijuan jetën të qetë pa iu kërkuar askush llogari nga pushteti i ri.

Berisha – gjatë mandatit të parë, u akuzua më së shumti për autoritarizëm, e padyshim për firmat piramidale, por jo në planin personal sesa si përgjegjësi pushteti. Përkundër kësaj, për të ekzistonte një opinion unik se ai vetë nuk kishte përfituar asnjë pasuri në mënyrë abuzive.

Në mandatin e dytë ku qëndroi 8 vjet kryeministër, ai sërish u akuzua për shumëçka, por jo në planin e përfitimeve personale. Gërdeci ishte diçka që iu adresua si aferë e të birit me pushtetin e tij, ndërsa e vetmja “lidhje me krimin” qe 21 Janari, në fakt një krim i pastër politik.

Edi Rama – e kanë ndjekur akuzat e opozitës që kur ka vënë këmbën në politike, me marrjen e Bashkisë së Tiranës. Është akuzuar për shumëçka, në planin e jetës private e pushtetit, por edhe për këtë si dhe për të tjerë nga e majta, pa patur kurrë një dosje të qepur me elementë penalë, nga ana e akuzatorëve.

Rama është akuzuar deri për lidhje me grupimin Hakmarrja për Drejtësi, ndërsa 20-përqindëshi nuk ju nda në 11 vjet në Bashki. PD pretendoi e pretendon dhe sot, se Rama ka marrë 20 përdind për çdo leje ndërtimi, pa mundur ta faktojë kurrë me instrumenta të saj apo në instancat e drejtësisë. Përkundër kësaj, Rama i është nënshtruar një hetimi pasurie nga një program ndërkombëtar, këtu e shtatë vite më parë, pa iu provuar ndonjë element abuziviteti me pushtetin.

Lulzim Basha – hyri në politikë duke shokuar opinionin. Në raport me moshën dhe vitet e punës, posedonte një pasuri tronditëse që kapte 1 milion euro. Stili i jetës së tij nuk e tregonte si hedonist, por apartamentet që kishte në Shqipëri e Hollandë ishin gjithsesi tregues dëshire për pasuri. Afera më e rëndë për të cilën është akuzuar, është ajo e 200 e kusur milion eurove në Rrugën e Kombit. Akuza erdhi një ish-dhjetorist dhe eksponent i niveleve të dyta në PD, inxhinier Arben Meçe. Ai nxorri në pah abuzimin në terma teknokratike, thënë ndryshe me laps në dorë, pa u marrë me Bashën personalisht, emri i të cilit lidhej me Rrugën e Kombit si ministër i Transporteve. As kjo dosje nuk u gjykua kurrë, siç dihet tashmë, për shkak të mbylljes me procedure. Në aspektin e krimit, ashtu si me Berishën, edhe Bashës i faturohet një krim politik, siç ishte 21 Janari.

Ilir Meta – është njeriu që u gjend më afër se çdokush afër provës së abuzimit me pushtetin. Me xanxën e Ilir-floririt vënë nga Berisha, pas vjedhjes së arit në Krrabë, do vinte “blloku” i tij, ai në një video me të ndjerin Dritan Prifti, publikuar nga ky i fundit. Për herë të parë, publiku pa me zë e figurë se si një pushtetar bënte pazare për miliona. Edhe kjo dosje u mbyll, duke lënë të hapur vetëm perceptimin e opinionit mbi Metën, si njeri që ka vënë pasuri e katandi duke përfituar nga pushteti. Lidhje e tij me krimin, mbetet vetëm detaji “Balili”. Klement Balili, i akuzuar si trafikant droge me përmasa ndërkombëtare, e që prej gati tre vitesh është në kërkim, u emërua drejtor institucioni publik nga LSI pas zgjedhjeve të 2013-ës.

Por kush është një politikan, që përjashtuar Ramën tashmë në pushtet i është faturuar krimi? Është Agron Duka, ashtuquajturi Duka i krimit, xanxë e vënë nga Berisha kur ai ishte pjesë e qeverisë Rama si ministër Bujqësie. Ironia: sot, Agron Duka është krah Bashës, në thirrrjen për vetting në politikë…për lidhje me krimin!

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re