Ervin Leka/ Autostrada Tiranë-Durrës, është kthyer në një shqetësim për përdoruesit e këtij aksi rrugor, për shkak se ana e djathtë e kësaj karrexhate është tejet e dëmtuar. Duke u mundur te shmangin dëmtimet e makinës, shoferet detyrohen të ecin në krahun e majtë të rrugës, duke shkelur kodin rrugor, dhe për pasojë gjobiten nga policia.

Më mirë të gjobitesh nga policia rrugore apo të dëmtosh makinën? Kjo është dilema me të cilën përballen çdo ditë përdoruesit e aksit rrugor Tiranë-Durrës. Ana e djathtë e rrugës ku është i detyrueshëm qarkullimi është në gjendje të amortizuar, për shkak të gropave që janë hapur.

Grupi i xhirimit të Panorama TV, përshkroi këtë autostradë që lidh kryeqytetin me Durrësin, ku me pamje filmike u faktua se rruga nuk i ngjan një aksi interurban kryesor, që ka një trafik të konsiderueshëm të qarkullimit të automjeteve.

Pavarësisht se në këtë autostradë, u ndërhy rreth 7 muaj më parë, ku edhe u devijua qarkullimi për 25 ditë, duket qartazi se rruga është amortizuar ndjeshëm.

Sipas ekspertit rrugor, Arben Luzi, riparimet sjellin një konfuzion edhe tek drejtuesit e automjeteve, duke bërë që ata të ecin në krahun e majtë dhe rrjedhimisht duke shkelur edhe kodin rrugor.

Duket se mijëra euro janë të çuara dëm për këto riparime, pasi gropat  në rrugë janë të shpeshta, duke u kthyer edhe në burim aksidenti dhe rrezikuar jetën e qytetarëve. I fundit aksident tragjik ndodhi disa ditë më parë.

Po edhe përgjatë autostradës, vihet re mungesa e parmakëve mbrojtës anësorë.

Sikur të mos mjaftonin dëmtimet masive të rrugës që lidh Tiranën me Durrësin, qytetarët shpesh herë duhet të vuajnë edhe ndëshkimet nga ana e policisë.

Sipas kodit rrugorë, pas manovrës së parakalimit, mjetet duhet të zhvendosen dhe të qarkullojnë në anën e djathtë të karrexhatës, edhe kur rruga është e lirë. Shumë prej përdorueseve të këtij aksi nuk e respektojnë këtë rregull, në mënyrë që shmangin gropat dhe dëmtimet që mund të pësojnë në automjet.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re