Dy vite nga sulmi i eskortës së Kryeministrit në Librazhd
Prokuroria mbyll hetimet, merren të pandehur 7 zyrtarët e PD
Dy vite nga sulmi i eskortës së kryeministrit Edi Rama në Librazhd, prokuroria e Elbasanit, ka mbyllur hetimet për këtë ngjarje dhe ka marrë të pandehur 7 zyrtarë të Partisë Demokratike në Librazhd dhe Elbasan.
Zyrtarët janë marrë të pandehur për akuzën e “Organizimit, pjesemarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”. I pandehur është marrë Bujar Vreto, kryetar i PD në Librazhd, Aurel Bylykbashi ish-deputet i PD në Elbasan, Arjan Karriqi kryetar i PD në Prrenjas, dy sekretarët e PD, Leonard Ozuni dhe Erlind Gurra si dhe dy simpatizantë të PD, Bujar Kojku e Dashamir Boja.
Dosja hetimore i ka kaluar gjykatës së Elbasanit , ku mësohet se do të mbahet një seancë paraprake vlerësimi për të parë nëse hetimet janë të plota. Nëse hetimet rezultojnë të plota , gjykata do të japë vendimin, nëse jo burimet bëjnë me dije se gjykatës i lind e drejta tia rikthejë prokurorisë.
Kujtojmë se ngjarja u regjistrua më 13 qershor 2019, ku në hyrje të Librazhdit, Partia Demokratike, organizoi një tubim, duke kryer bllokimin e rrugës me qëllim ndalimin e qarkullimit të automjeteve dhe më konkretisht të eskortës së kryeministrit, Edi Rama.Gjatë kalimit të eskortës së Kryeministrit, një grumbull personash, përfshirë 7 të pandehurit tentuan të bllokojnë rrugën dhe hodhën sende të forta, në drejtim të eskortës.
Po ashtu kujtojmë se Gjykata e Elbasanit asokohe tre ditë nga ngjarja dha masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 nga 7 drejtuesit e partisë Demokratike në Elbasan. Për kryetarin e Degës së PD-së në Librazhd , Bujar Vreto, kreun e PD-së në Prrenjas, Arjan Kariqin si dhe për dy prej mbështetësve të PD-së, Bujar Kojku, nga Librazhdi dhe Dashamir Boja, Cërriku, të cilët u lanë të lirë nga apeli kohë më pas. Ndërsa për tre të tjerët përfshirë ish-deputetin e PD-së Aurel Bylykbashi, u dha masa e sigurisë ‘detyrim paraqitje .
…
/faxweb
