Qeveria shqiptare planifikon të përfshijë në librat shkollorë të sistemit parauniversitar lëndë të edukimit ligjor. Në një intervistë për ReportTv këshilltarja e ministres së drejtësisë, Iris Aliaj shprehet se qytetarët do duhet të informohen për reformën në drejtësi dhe ligjet e reja. Sipas Aliaj vetëm kështu do të kemi qytetarë të përgjegjshëm përball ligjit dhe kërkues për çdo ligj të ri që krijohet në vend.

A i njohin qytetarët ligjet?

Ligjet e reja, reforma në drejtësi, të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve si dhe shtetit përballë shtetasve shqiptarë do të jenë pjesë e edukimit ligjor që Ministria e Drejtësisë në plan veprimin e saj parashikon ti fusë edhe në kurikulat mësimore në sistemin parauniversitar.

Në një intervistë për ReportTv Iris Aliaj këshilltare e ministres së Drejtësisë ka sqaruar se çfarë parashikohet me këtë plan veprimi dhe pse ai ishte i nevojshëm.

“Ne kuadër të reformës në drejtësi por edhe të gjithë analizës që iu bë sistemit në drejtësi dhe problematikave të evidentuara, u vu re që mungonte një dokument strategjik që të ishte i fokusuar dhe të mundësonte edukimin e publikut. Instrumenti që do të bëjë të mundur edukimin ligjor të publikut është pikërisht plani i veprimit, aktivitete ndërgjegjësuese dhe që kanë për qëllim edukimin për grupe të margjinalizuara si gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, por do të ketë përfshirje  edhe në kurikula të sistemit parauniversitar. Do  kenë mundësi që duke u edukuar të nxisë e të vërë në lëvizje insitucioine të administratës që të zbatojnë ligjin dhe vetë qytetarët duke u edukuar  do ta zbatojnë ligjin”, është shprehur Aliaj.

Edhe pse mungon një dokument zyrtar për njohurit që qytetarët kanë për ligjet, rezulton se shumica e tyre i njohin pak ose aspak dhe zonat rurale e shtresat e margjinalizuara janë më të painformuarat për ligjet në shtetin ku ata jetojnë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re