Mes lotëve dhe dhimbjes janë përcjellë në banesën e fundit gjatë ditës së sotme Zhaneta dhe Anisa Josifi, të cilat u vetëflijuan në Tiranë, ndërsa trupat e pajetë të tyre u gjendën brenda banesës, ku prej ditësh kishin refuzuar ushqimin. Në arkivolin e Anisës është vendosur nga familjarët një vello e bardhë, duke e çuar në banesën e fundit si një nuse, që nuk mundi të ishte dot teksa qe në jetë.

Sipas ekspertizës, Anisa kishte rreth 15 muaj që kishte humbur jetën, dhe ishte mumifikuar nga e ëma dhe motra e saj, me shpresën se një ditë do të ringjallej, ndërsa disa ditë më parë kishte ndërruar jetë dhe vetë Zhaneta.

Ceremonia mortore është kryer në qytetin e Përmetit, nga dhe familja Josifi kishte origjinën, dhe ku prehej dhe kryfamiljari, që po ashtu kishte ndërruar jetë përmes vetëflijimit.

Nga kjo tragjedi, e vetmja që shpëtoi ishte vajza tjetër, Blerta e cila u dërgua në Urgjencën Psikiatrike, dhe tashmë e ka kaluar gjendjen e rrezikut për jetën. 34-vjeçarja nuk ka mundur dot që ti japë lamtumirën nënës dhe motrës së saj, për shkak të gjendjes emocionale dhe mendore në të cilën gjendet.

Ngjarja u denoncua nga daja i vajzave i cili u shqetësua për shkak se e motra nuk i kishte hapur telefonin. Pas mësymjes së policisë në banesë u zbulua edhe ngjarja e rëndë, që ka bërë që policia dhe prokuroria të nisin hetimet për sektet fetare që funksionojnë në Shqipëri.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re