Skip to content

Video/ Arkitektët Boeri dhe Cucinella prezantojnë projektet, si do të jenë dy lagjet e reja në Tiranë e Durrës

Qershori dhe korriku do të jenë muaj ku në të gjitha zonat e dëmtuara nga tërmeti do të ketë hapje kantieresh serioze të rindërtimit qoftë me shtëpitë, shkollat, pastaj edhe me proceset e tjera me grantet.

Deklarata u bë nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit nga dy arkitektët e famshëm italianë Stefano Boeri dhe Mario Cucinella, në Këshillin Kombëtar të Territorit, të dy planeve të rindërtimit në Tiranë dhe Durrës.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se me këto plane hapet një kapitull i ri i Shqipërisë së gjeneratës së ardhshme sa i përket projekteve të tilla historike në rindërtimin e vendit.

“Dua të shpreh mirënjohjen për arkitektët italianë që janë përfshirë me shumë dëshirë të mirë në këtë proces dhe dua t’i falenderoj Stefanon edhe Marion për faktin që qysh në momentet e para pas tragjedisë së 26 nëntorit janë vetëofruar për të qenë pjesë e përpjekjes tonë të përbashkët për adresimin e plagëve të rënda që u hapën në 26 nëntor. Jemi sot në kushtet që hapim një kapitull të ri në kuptimin e plotë të fjalës, sepse jo thjesht garantojmë strehim për ata që presin të futen në shtëpitë e reja, por krijojmë shembuj të rinj të Shqipërisë që duam për gjeneratën tjetër, për qytetet e gjeneratës tjetër, si edhe të organizimit e bashkëjetesës komunitare të gjeneratës tjetër,” u shpreh Kryeministri Rama.

Duke prezantuar Planin e detyruar Vendor të zonës së parë në Bashkinë e Tiranës, arkitekti Stefano Boeri u shpreh se projekti ka rimarrë disa ide të masterplanit e Tiranës, siç është ajo e një pylli orbital rreth qytetit. “Projekti parashikon që të ndërhyhet në një nga zonat ky parafytyrohej se do të krijohej një Tiranë policentrike, në aksin verior të Bulevardit në kontakt me Lumin e Tiranës dhe në kufi me Kamzën. Do ndërtohet një lagje eksperimentale nga pikëpamja e qëndrueshmërisë, por edhe nga pikëpamja e të gjitha teknologjive më të avancuara dhe e sfidave më të reja që pandemia na ka vënë përpara në javët e fundit,” u shpreh ndër të tjera Boeri, duke shtuar se konceptet themelore të këtij projekti janë në thelb 8. “I pari ka të bëjë me idenë që të realizojmë një qytet me të gjitha teknologjitë më të përparuara, një qytet i vetëmjaftueshëm nga pikëpamja e energjisë, ujërave dhe të mund të përftojmë një qytet ku mund të kenë akses të gjithë. Të kemi një lagje e cila të mund të përshkohet në 15 minuta në këmbë, të mund të funksionojë pa pasur nevojë që të përdoren makinat, një lagje e gjallë për të ardhmen, që të jetë në funksion të të rinjve, e aksesueshme nga të gjithë pikëpamjet e jetës dhe mbi të gjitha të jetë një lagje e mbrojtur, e sigurt,” – u shpreh më tej arkitekti.

Lagjia e re, sipas Boerit, gërsheton ndërtesat për banim me objektet që akomodojnë njësi tregtare, prodhimi e shërbimi, si dhe institucione publike. Karakteristikë e projektit janë hapësirat e gjelbra, duke propozuar edhe konceptin e tarracave të gjelbra.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh se me projektin e ri zgjidhet thuajse gjysma e problematikës që ekziston në zonat urbane, ku do të mundësohet jo vetëm strehimi i të dëmtuarve nga tërmeti, por edhe i disa kategorive të tjera që do të përfitojnë nga ky projekt.

“Ne akomodojmë një mijë familje që janë thuajse gjysma e familjeve në zonat urbane që ne kemi me qera. Ky projekt automatikisht zgjidh thuajse gjysmën e problematikes që ne kemi në zonat urbane. Ndërkohë do të kemi 2200 apartamente në total. 442 i kemi rezervuar për ato që janë kredi të buta të bashkisë , pra, për t’u siguruar që nuk është vetëm një geto e atyre që janë dëmtuar nga tërmeti, por akomodohen ata, akomodohen kryesisht ata që kanë ndërtuar në mënyrë informale, pastaj kemi dhe një komunitet shtesë të familjeve të reja që ne i subvencionojmë me kredi të buta. Mezi presim që të fillojmë punën dhe kemi marrë edhe masat për çlirimin e territorit. Fillimisht në territorin që është ekskluzivisht i bashkisë ne atë kompani që e ka territorin dhe ku Bashkia është aksionere dhe pastaj po bëjmë një menaxhim social të të gjitha atyre rasteve që mund të kenë uzurpuar territorin ndër vite. Garancia që u japim është se asnjëri nuk do të marri një metër më pak seç ka, por do të duhet të pranojnë zhvillimin e ri dhe për atë pjesë që thashë. Ndërkohë që miksimi edhe me institucionet publike të qeverisë do të shoqërohet edhe me institucione të bashkisë, për të animuar edhe nga ana administrative atë zonë.”

Ndërsa arkitekti Mario Cucinella, teksa shpjegoi detaje të projektit për Durrësin, u shpreh se ai është përqendruar në idenë e lagjeve me densitet të ulët dhe me një rrjet shërbimesh të zgjeruara, që e kthejnë atë në një destinacion, jo vetëm për banorët e Durrësit, por edhe më gjerë.

“Ne jemi përqendruar më shumë në idenë e një lagjeje me densitet të ulët, por duke marrë parasysh shpejtësinë e ndërtimit dhe raportin e këtyre blloqeve të ndërtimit në një farë mënyre duhet t’i japim një përgjigje shumë shpejt, brenda këtij aksi të madh zhvillimi. Ideja për të bërë një projekt që të jetë i realizueshëm shumë shpejt më duket i rëndësishëm dhe i përgjigjet kërkesës që ju keni bërë. Idea e ndërtimit mbi këtë bazë parashikon edhe një sërë shërbimesh në Durrës, duke marrë parasysh densitetin e këtij qyteti dhe është e rëndësishme që të jetë një destinacion, jo vetëm për ata që banojnë aty, por mund të jetë një destinacion edhe për qytetarët e qyteteve të tjera. Kjo ndërthurje funksionesh na ndihmon që të krijojmë një lagje të re, e cila të ketë sa më shumë jetë. Janë 1530 familje, rreth 5 mijë banorë. Këto shtëpi janë të gjitha afër me njëra-tjetrën, me kalime brenda tyre.”

 

Rindertimi

 

#TiNukDoJeshKurrëVetëmRINDËRTOJMË BASHKË 🟢 STEFANO BOERI DHE MARIO CUCINELLA, DY ARKITEKTËT E FAMSHËM ITALIANË, PREZANTOJNË NË KËSHILLIN KOMBËTAR TË TERRITORIT, DY PLANE TË RINDËRTIMIT NË TIRANË DHE DURRËS, DY LAGJE TË REJA, NJËRA PRANË LUMIT TË TIRANËS E TJETRA NË ZONËN E SPITALLËS, QË MISHËROJNË AMBICIEN TONË PËR SHQIPËRINË QË DUAM

Publiée par Edi Rama sur Mercredi 13 mai 2020