Ka nisur mbledhja e Këshillit Kombëtar ku prezentë janë 291 anëtarë nga 484.

Siç u bë e ditur edhe mbrëmjen e së shtunës pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë, në këtë mbledhje të sotme pritet që të votohet për shkarkimin e Edi Palokës, anëtarëve të kryesisë që morën pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit si dhe katër sekretarëve Belind Këlliçi, Ivi Kaso, Ervin Minarolli dhe Ledina Mandia.

Rendi i ditës për sot, siç e njoftoi kreu Lulzim Basha të shtunën mbrëma është:

1.Diskutimi dhe miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria anti-statutore që dëmton rëndë interesat politike dhe elektorale të PD.

2.Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 nëntor.

Kryesia vendosi gjithashtu shkarkimin nga detyra të disa kryetarëve të degëve. Kryesia ngarkoi Sekretariatin ekzekutiv të ndjekë të gjithë hapat për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe penale të gjithë personat përgjegjës për fallsfikimin dhe  shpërdorimin e simboleve të institucioneve të Partisë Demokratike.

“Nesër, me atributet e mia si kryetar i Partisë Demokratike do t’i njoftoj Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike edhe vendimet e mia sa i takon disa funksioneve të tjera të shpërdoruara në këtë proces që kanë të bëjnë me drejtimit politik të Partisë dhe drejtimin parlamentar të Partisë,” tha Basha.


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re