Biznesmeni Ylli Ndroqi ka mbërritur sot në Gjykatën e Posaçme, ku së bashku me avokatët e tij do të kërkojë heqjen e sekuestros mbi pasuritë e tij, që sipas SPAK nuk justifikohen nga të ardhurat.

Siç edhe shihet nga pamjet e siguruara nga Fax News, Ndroqi ka mbërritur në gjykatë së bashku me avokatët, ndërsa në dorë mban edhe një dosje me dokumente.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të konfiskojë 32 pasuritë e Ylli Ndroqit dhe familjarëve të tij.

Sipas SPAK, nga të ardhurat dhe shpenzimet rezulton se Ylli Ndroqi ka të pajustifikuara 3 milionë euro dhe se gjatë fazës së hetimit nuk ka mundur sërish të justifikojë dot burimin e tyre.

“Raporti midis të Ardhurave dhe Shpenzimeve të shtetasit Ylli Ndroqi (Xhemail Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij, në çdo vit, si dhe gjendja e bilancit përfundimtar të tyre është: Gjithsej për gjithë periudhën së bashku janë: Të Ardhurat Gjithsej:1 048 667 240 leke. Shpenzimet Gjithsej: 1 418 522 446 leke. Shpenzimet e pambuluara me të ardhura janë: 369 855 206 lekë, ose rreth 3 milionë euro”, thuhej në njoftimin e SPAK.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re