Fax News ka siguruar pamje nga vendi ku u ekzekutua mëngjesin e sotëm 55-vjeçari Nazmi Bandulla në qytetin e Shkodrës.

Siç shihet edhe nga pamjet, vrasja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali, ndërkohë që burimet saktësojnë se ndaj Bandullës është qëlluar nga një makinë në lëvizje.

Lokali në fjalë ndodhet në afërsi të banesës së viktimës, dhe kafja frekuentohej prej tij pothuajse në mënyrë të përditshme.

Lidhur me vrasjen ka reaguar zyrtarisht edhe policia e Shkodrës, e cila thotë se ka ngritur disa pika kontrolli në Shkodrës, duke bllokuar të dy krahet e unazës perëndimore të qytetit, me qëllim kapjen e autorëve.

“Rreth orës 08:15, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Partizani”.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia e Shkodrës.

Në vendin ku është vrarë 55-vjeçari janë te vendosura dhjetra biznese, me kamera sigurie, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.

Viktima nuk është një emër i panjohur, pasi dhe më herët i është vendosur një sasi tritoli në makinë.

Në vitin 2020 Bandulla kishte tentuar që të vriste me armë vëllanë e tij, dhe ishte arrestuar asokohe nga policia.

Vetëm tre muaj më pas atij iu vendos tritol në makinë, ku pas ngjarjes do të dëshmonte si më poshtë:

“Unë sapo isha futur në banesë dhe pak minuta më përpara kam qenë brenda oborrit. Jam ngjitur në shtëpi dhe më pas ka shpërthyer. Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë vendosur. Fouristrada ime ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë që në orët e paradites.

Kam dalë në mëngjes, kam ngrënë diçka dhe më pas jam rikthyer në shtëpi dhe e kam lënë makinën aty brenda oborrit. Nga ai moment nuk e kam lëvizur më ndaj nuk e kam idenë se si mund të ketë ndodhur”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re