Kristjan Asllani bëri debutimin e tij me ekipin e ri Besiktash dhe menjëherë u shfaq si ‘ëngjëll dhe djall’ në vetëm 6 minuta aktivizim.
Mesfushori i kombëtares shqiptare në ndeshjen mes Besiktas dhe Konyaspor u aktivizua në minutën e 76 kur rezultati ishte 1-1. Pak sekonda iu deshën Asllanit për të dhënë një asist te Kokcu që shënoi golin që i dha avantazhin 2-1 skuadrës së Beshiktashit.
Por vetëm pak minuta më vonë, Asllani u bë sërish protagonist, por këtë radhë negativ pasi 23 vjeçari kreu një faull ndaj kundërshtarit teksa po kërkonte të dilte në kundërsulm dhe arbitri pas verifikimit në sistemin VAR e ndëshkoi me karton të kuq. Për fatin e mirë të Asllanit, Beshiktash arriti që në inferioritet numerik të ruajë avantazhin e krijuar dhe të mbyllë këtë ndeshje me fitoren 2-1.



