“Defender Europe 2021” e cila ka nisur prej 4 majit në vendin tonë po demonstron aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi publikoi sot një video me pamje nga stërvitja në 7 baza të ndryshme.

“Defender Europe 21 – zhvillohet njëkohësisht në 7 baza të ndryshme në të gjithë vendin”, shprehet Peleshi.

Stërvitja po kryhet në bazat ushtarake të Bizës, Kuçovës, Pashaliman, Farkë, Rinas, Durrës dhe Zall-Herr.

Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re