Edhe seanca e sotme plenare, u shoqërua me tensione para nisjes së saj pasi Garda e Republikës u rreshtua te dera e parlamentit për të mos lejuar disa deputetë të opozitës të futeshin brenda.

Tensionet vazhduan edhe në sallë, ku deputetët demokrat grumbulluan karriget  pranë foltores dhe në momentin që seanca nisi dhe u votua heqja e imunitetit të Sali Berishës, u ndezën  flakadanë dhe filloi goditja e tavolinave për tetë minuta, aq sa zgjati edhe seanca.

Me anë të një reagimi në “facebook” , nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka ndarë pamjet e përplasjeve mes deputetëve dhe punonjësve të Gardës, të cilën e konsideron se një sjellje kafshërore të kësaj të fundit ndaj deputetëve opozitarë.

“Sjellje kafshërore e Gardës së Edi Ramës dhe Taulant Ballës, që pengojnë me forcë deputetët e opozitës që të hyjnë në Kuvend”, shkruan Vasili.

Kujtojmë që Berisha refuzoi të flasë në Kuvend përpara se PS të miratonte me 75 vota pro kërkesën e SPAK, duke kërkuar që të nxirrej garda jashtë.

“Nxirri gardën jashtë”, tha Berisha duke e vendosur kusht për të folur, por u refuzua nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila kaloi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme në votim.

Pasi u vendos heqja e imuniteti të tij, ish-kryeministri Berisha u largua nga salla e Kuvendit.

“Sot, narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik, votoi në kundërshtim me ccdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me ccdo procedurë ligjore, për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Në një mënyrë apo në një tjetër, parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, dy vite më parë.

Ajo që mund të them se nga dita e sotme është se parlamenti nga klandestiniteti, përfundoi në parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot jo nga dyert zyrtare, nga dyert zyrtare të parlamentit, por nga tunelet që lidhin parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Pra, u fut nga vrima e miut në parlament. Beteja e nisur vazhdon fuqishëm si kurrë më parë dhe e garantoj se kjo opozitë do qëndrojë e pamposhtur në mbrojtjen e idealeve demokratike të saj”, tha ai për gazetarët në oborrin e Parlamentit.

Heqja e imunitetit i hap rrugës arrestimit të Berishës, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.

Ndonëse për shkak të moshës, Berisha mund të përjashtohet nga arresti me burg, prokurori i çështjes Arben Kraja bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit se gjykatës do i drejtohen për të dyja masat e më pas do të jetë në dorën e kësaj të fundit se çfarë do të vendosë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re