135 persona janë arrestuar brenda javës në vendin tonë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë janë zhvilluar 25 operacione të koduara, të cilat kanë çuar në prangosjen e shumë personave të përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale.

Mësohet se 35 persona janë shpallur në kërkim. Po ashtu masa të rrepta janë marrë dhe ndaj shoferëve, me vendosjen e 15.316 gjobave.

Ja njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit, në një javë!

Angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe profesionalizëm nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, për të parandaluar dhe luftuar krimin. Dhjetëra operacione, qindra të arrestuar dhe të proceduar. Lëndë narkotike, armë dhe asete të paligjshme, të sekuestruara.

✅Si rezultat i angazhimit dhe profesionalizmit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit, në një javë, u finalizuan me sukses 2 megaoperacione policore:

•”Syri i Sheganit” në Shkodër, si rezultat i të cilit u zbardh grabitja me armë e një filiali banke, në Koplik, Malësi të Madhe, si dhe u zbulua një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. U vunë në pranga 9 shtetas dhe u sekuestruan 31 kg kanabis dhe 1 armë zjarri;

•“Illegal assets” në Elbasan, për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, si rezultat i të cilit u sekuestruan pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro.

✅Sigurimi i rendit dhe qetësisë, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Izrael, një sfidë tjetër e fituar me sukses, në interes të imazhit të vendit, falë angazhimit dhe eksperiencës së strukturave të Policisë së Shtetit, në këtë drejtim.

•Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 475 persona, nga këta: 135 janë arrestuar, 305 janë proceduar penalisht dhe 35 janë shpallur në kërkim.

•Janë kapur në total 43 persona në kërkim, 33 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 10 në kërkim ndërkombëtar.

•Janë zhvilluar 25 operacione policore të koduara: “Syri i Sheganit”, “Illegal Assets”, “Sunday”, “Last move”, “Permission”, “Prato”, “Aosta”, “Black bag”, “Camouflage 9”, “Camouflage 10”, “Target”, “Multifunksional”, “Fati i lojërave”, “Plirëz”, “Flames”, “Ecstasy 22”, “Road Guard” në 2 raste, “Blinisht”, “Blinisht 2”, “Avalon”, “River”, “Poçemi 2” dhe “Perimetri” në 2 raste.

• Prej këtyre, 2 operacione për goditjen e armëmbajtjes pa leje; 7 në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike; 7 në fushën e dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm, për të kaluar kufirin; 4 për kapjen e personave në kërkim; 2 për zbulimin e ngjarjeve të ndodhura më parë; 1 për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit; 1 për sekuestrimin e pasurive të paligjshme që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, si dhe 2 për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e gjenerimit të kundërligjshëm të monedhave virtuale.

•Si rezultat i kontrolleve masive të territorit janë evidentuar dhe shkatërruar 3 ambiente, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, 2 ambiente në Lezhë, në kuadër të operacioneve “Blinisht” dhe “Blinisht 2”, si dhe 1 ambient në Fushë Krujë. U sekuestruan sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, bimë të dyshuara narkotike kanabis, në proces tharjeje, qindra fidanë dhe dhjetëra fara të dyshuara narkotike kanabis, si dhe pajisje që shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike.

•Gjithashtu, është evidentuar dhe goditur në Durrës, 1 rast i përshtatjes së lokalit për gjenerim të kundërligjshëm të monedhave vituale, ku janë sekuestruar 18 pajisje që shërbenin për këtë qëllim.

•Në vijim, si rezultat i operacioneve dhe goditjeve nga DVP në qarqe, janë sekuestruar rreth 32 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, dhjetëra doza kokaine, marijuane, si dhe lëndësh të ndryshme narkotike, sasi kafeje e dyshuar e kontrabanduar, fitila zjarrpërcjellës, 2 radio si ato të Policisë, 14 automjete, 8 celularë, si dhe shuma parash e asete të tjera që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.

•Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 7 raste dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri, 1 armë sportive, 2 thika, si dhe municion luftarak.

•Janë goditur 6 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 41 raste të dhunës në familje.

•Janë evidentuar dhe goditur 30 raste të krimeve mjedisore, 1 rast i zjarrvënies, 1 rast i organizimit të lojërave të fatit dhe 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

•Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 44 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 17 raste.

•Ndërhyrja në kohë e strukturave të Policisë ka parandaluar 2 ngjarje kriminale, në Tiranë dhe Elbasan, në fushën e krimeve kundër personit.

Policia Rrugore/Vijon monitorimi intensiv në të gjitha akset rrugore, duke përdorur makinën inteligjente “Poliscan”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

•Nga data 1 deri në datën 6 qershor, shërbimet e Policisë Rrugore të qarkut Lezhë dhe të strukturave të tjera të Policisë kanë qenë të angazhuara për mbarëvajtjen e UNUM Festival 2022, i cili u zhvillua në Shëngjin dhe u mbyll pa asnjë problem.

•Policia Rrugore e qarkut Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë, mori masa për garantimin e rrugëkalimeve të sigurta për pjesëmarrësit në aktivitetin sportiv me motorat Harley dhe makinat Rally, që zhvillua në qytetin e Durrësit, më datë 5 qershor, aktivitet i cili u mbyll pa asnjë problem.

•Gjatë kësaj jave janë pezulluar 556 leje drejtimi, nga të cilat: 409 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 108 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 39 për qarkullim në sens të kundërt.

•Janë arrestuar 78 drejtues mjetesh, nga këta: 27 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 51 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

•Janë vënë në pranga nga Policia Rrugore e Tiranës, 3 shtetas që drejtonin automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike, si dhe janë goditur 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.

•Janë vendosur 15.316 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia Kufitare/Vijojnë masat e shtuara për përballimin me sukses të fluksit në pikat e kalimit kufitar, në kuadër të sezonit turistik. Kontrolle intensive të mjeteve lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe trafiqeve të paligjshme.

•Gjatë kësaj jave janë kapur 13 shtetas në kërkim, nga të cilët 9 në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar.

•Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 7 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe 2 shtetas, për “Mbajtja pa leje e armëve, armëve të ftohta dhe municionit luftarak”.

•Gjithashtu, janë goditur 3 raste të mitëdhënies dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët, për shkak të mangësive në dokumentacion, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Kufitare.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe për të garantuar rendin e sigurinë në të gjithë vendin dhe sigurinë rrugore gjatë sezonit turistik veror.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është në shërbim të tyre dhe në zbatim të ligjit, si dhe i fton sërish ata për të denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.

https://www.youtube.com/watch?v=iP2BDTgH7og

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re