Edhe në qytetin e Shkodrës “29 nëntori” është përkujtuar pranë varrezave të dëshmorëve me vendosjen e yllit komunist dhe shenjën e grushtit.

Përfaqësues të LANÇ dhe institucioneve të ndryshme në Shkodër vendosen kurora me lule pranë varrezave të dëshmorëve në përkujtim të datës 29 Nëntor.

Për sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Gjon Bruçi, historia e popullit shqiptar mbështetet në 4 kolona dhe kush punon kundër këtyre 4 kolonave punon kundër interesit të popullit shqiptar.

Bruçi foli për festimin me grushtin komunist, duke thënë se ka kuptim që në kohën e Skënderbeut dhe nuk simbolizon komunizmin. Ai komentoi edhe urimin e deputetit të PS, Bujar Çela, me foton e Enver Hoxhës.

“Enver Hoxha e ka zënë vendin në histori dhe nuk ka burrë ta shkulë si udhëheqës i popullit shqiptar. Pa luftën nacional-çlirimtare nuk do të kishim sot Shqipëri dhe do ishim të coptuar. Nuk ka asnjë ligj që ndalon fotografinë e Enver Hoxhës.”
Në vendosjen e kurorave me lule pranë varrezave të dëshmorëve munguan përfaqësues të Bashkisë Shkodër, që vijon të mos e njohë këtë datë.

Sot shënohen 77 vite nga çlirimi i vendit dhe grupet e nostalgjikëve të Enver Hoxhës nuk kanë munguar as në homazhet në Varrezat e dëshmorëve sot në kryeqytet duke mbajtur në dorë portretin e ish-diktatorit.

PD kryen homazhe për Pavarësinë dhe çlirimin në të njëjtën ditë që është data 28 Nëntor, ndërkohë që të majtët përkujtojnë dy data.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re