
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Përmes një postimi në Facebook, ai bën me dije se është ftuar për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
“Abu Dhabi – Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW).
Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.



