Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 30-vjeçar, i cili po lëvizje i armatosur me një automjet pa targa, ndërsa ka proceduar penalisht, për moskallëzim të krimit, 2 pasagjerët që lëviznin me të njëjtin automjet.
Sipas asaj që raporton policia, janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, 2 celularë, automjeti dhe një shumë parash.
I arrestuari është shtetasi Kristian Buzatu, ndërsa të proceduar penalisht Klisman Ndou dhe Admir Alija, raporton Fax News.
Njoftimi i Policisë:
Si rezultat i një informacioni të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale finalizuan operacionin “Gjerdani”.
Në kuadër të operacionit u ndalua teksa drejtonte një automjet tip “Fiat”, pa targa, në fshatin Shënkoll të Lezhës, shtetasi i dyshuar, K. B., 30 vjeç, banues në Lezhë.
Gjatë kontrolleve, 30-vjeçarit iu gjet në çantë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin nisi procedimi penal, për veprën “Moskallëzimi i krimit”, për 2 pasagjerët në automjetin që drejtonte shtetasi K. B., shtetasit A. A., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. N., 25 vjeç, banues në fshatin Tale.
