Me dokumente kadastrale të falsifikuara, status “Investitor Strategjik” dhe qindra forca policie në terren, qeveria dhe policia po shtypin rezistencën e banorëve të Velipojës për t’ia dorëzuar tokat Bashkim Ulajt.
Prej 6 ditësh, banorët e Rrjollit në Velipojë po sulmohen fizikisht nga Policia e Shtetit, sepse kanë dalë në mbrojtje të tokave të tyre, mbi të cilat oligarku Bashkim Ulaj synon të ndërtojë një resort.
Me dokumente kadastrale false, të siguruara me urdhër të kryeministrit Edi Rama, klienti i tij Bashkim Ulaj u ka grabitur 147 hektarë toka banorëve të fshatit Rrjoll.
Ndërsa një vit përpara se të prodhoheshin dokumentet kadastrale false, Ulajt iu miratua statusi “Investitor Strategjik”, për ndërtimin e resortit “Blue Borgo” me pallate banimi, hotele, njësi tregtare dhe vila.
Ditën e sotme, banorët deklaruan se do ta vazhdojnë rezistencën dhe nuk do të tërhiqen përballë dhunës policore dhe kërcënimeve që po u bëhen nga kriminelë të paguar dhe të vërsulur nga Bashkim Ulaj.
LEXO EDHE: Resorti i Ulajt mbi 146 hektarë të grabitur, banorët e Rrjollit vijojnë protestën: Të hënën bllokojmë Prokurorinë e Shkodrës
Por nuk do të tërhiqet as Policia e Shtetit, e cila po përdoret për dhunë fizike kundër banorëve të Rrjollit, duke e vënë në shërbim të interesave të oligarkut Bashkim Ulaj.
Sipas asaj që shkruan “Pamfleti”, Policia e Shtetit, edhe si detyrim nga çeku i dhënë nga Ulaj (siç po flitet), ka krijuar një “gazermë” policore në Velipojë, për të larguar banorët nga tokat e tyre.
Deri tani, aty janë dislokuar rreth 150 forca policie, mes tyre edhe toga të forcave speciale, për të ushtruar presion, prangosje, procedime penale dhe dhunë fizike ndaj banorëve, derisa ata të tremben, të lodhen, të nënshtrohen dhe të lëshojnë tokat.
Këto forca janë planifikuar në grupe prej 50 policësh, me tre turne shërbimi pranë tokave në Rrjoll, për të dhunuar banorët që pengojnë punimet e kompanisë së Bashkim Ulajt.
Ndërkohë, edhe rreth 100 efektivë të tjerë që qëndrojnë në “gazermë”, të hequr nga shërbimet e rendit dhe nga Forca Kombëtare e Sigurisë Publike (ish-FNSH) e komisariateve të Tiranës, Shkodrës, Lezhës, Kurbinit dhe Pukës, janë në gatishmëri të përhershme për të ndërhyrë kundër banorëve, deri sa ata të largohen nga tokat e tyre.
Nëse banorët e Rrjollit do të vazhdojnë rezistencën kundër projektit grabitës të oligarkut Bashkim Ulaj, policia është urdhëruar t’u garantojë tokat dhe punimet për resortin, duke përdorur edhe dhunë ekstreme dhe forca shtesë policore.
Edhe një herë, si referim për drejtuesin e SPAK-ut, Klodian Braho, çfarë po pret për të nisur hetimin për grabitjen e tokave të banorëve të Rrjollit?