Në takimin e kreut të PD, Sali Berisha, në Korçë, ku prezantoi kandidatët e PD-ASHM, mori fjalën edhe korçari më i famshëm demokrat Ilir Vrenozi, i cili ndezi pallatin e sportit në Korçë sapo përmendi Ervin Salianjin.
Në takimin e zhvilluar në Korçë, të organizuar nga Partia Demokratike pjesëmarrësit mbanin disa banderola me emrin e ish-deputetit të tyre. “Free Salianji”, “Gjithmonë me ty”, etj ishin thirrjet e pjesëmarrësve.
Momenti ku gjithë salla shpërtheu në ovacione ishte kur demokrati i famshëm Ilir Vrenozi i kujtoi Kryeministrit rezultatin e Salianjit me thuajse 10.000 vota personale dhe rezultatin përballë PS-së në Korçë.
Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej 26 shtatorit 2024, ku po kryen dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë publik. Salianji denoncoi Agron Xhafajn, vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj se trafikonte drogë me gomone në drejtim të Italisë. Por për Gjykatën, akuzat e Salianjit rezultuan të rreme dhe si rrjedhojë ai u dënua nga shkalla e parë dhe Apeli me 1 vit heqje lirie.