Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Finalizohet operacioni i koduar “Four”.

Zbardhen dhe dokumentohen 4 raste të vjedhjes së automjeteve në qytet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari.

Sekuestrohen sendet e vjedhura nga automjetet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, finalizuan operacionin e koduar “Four”.

Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. Sh., 42 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje.

Nga veprimet hetimore, këqyrja e pamjeve filmike dhe informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se ky shtetas është autori i vjedhjes në 4 automjete, ngjarje të ndodhura më datë 31.01.2026, në qytetin e Korçës.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një kasetofon, një pasaportë, një palë çelësa, një telefon i markës iPhone 13 Pro Max, një sasi lekësh dhe sende të tjera.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re