Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Fier ditën e djeshme ku u qëllua me arme zjarri drejt një automjeti, ka folur shoferi i makinës Mane Senka.

Senka shprehet se nuk ka pasur asnjë konflikt me autorin, duke shtuar se në momentin kur ndodhi ngjarja ishte në verandën e shtëpisë ndërsa 30 vjeçari Martin Craga gjuajti me kallashnikov dhe drejt soletës.

E zonja e shtëpisë i bëri thirrje policisë për kapjen e Cragës pasi ndihen të frikësuar, duke qenë se i riu është përdorues i lëndëve narkotike.

Kthehem nga Rinasi dhe qëndrova tek xhaxhai. 5 minuta pasi e takova dola në verandën e shtëpisë dhe pashë që makina po gjuhej me kallashnikov.

I foli çuni i xhaxhait, autori po gjuante akoma më tepër dhe drejtoi automatikun tek ne. Qëlloi drejt nesh disa herë dhe plumbat kaluan mbi soletën e shtëpisë së xhaxhait.

Nuk kemi pasur asnjë konflikt, vetëm parkova makinën në rrugë. Për këtë personin thonë se pi substance dhe unë nuk kam asnjë lidhje me të.
Ndihem i frikësuar, kam bërë kallëzim në policinë e Fierit por ende nuk e kanë kapur atë”-tha Mane Senka.

Nga ana tjetër e zonja e shtëpisë ku ndodhi ngjarja thotë se autori i të shtënave me armë nuk i ka ngacmuar ndonjëherë në lagje, duke bërë thirrje që policia të marrë masa.

Ja njoftimi policisë:

Qëlloi me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, shpallet në kërkim 30-vjeçari dhe po punohet për kapjen e tij.

Sot rreth orës 19:45, në fshatin Petovë, Fier, shtetasi Martin Craga 30 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin Mane senka., ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të automjetit tip “Ford” në pronësi të shtetasit Mane Senka 64 vjeç, (në të cilin nuk ndodheshin persona brenda), i cili ishte i parkuar pranë banesës së autorit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe dy grupe të FNSH Fier janë vënë në ndjekje të autorit i cili është larguar nga vendngjarja.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje.

/faxweb