SKRAPAR- Një turist holandez, i cili u zhduk para disa ditësh është gjetur i vdekur në kanionet e lumit Osmun. Trupi i pajetë i tij u gjet nga polumbarët e RENEA-s, të cilët kërkuan për disa ditë me radhë në këtë zonë. Ai ishte bashkë me bashkëshorten, por fatmirësisht kjo e fundit arriti të dalë nga ujërat e Osumit.

Njoftimi i Polcisë:

Kërkimet e pandërprera nga polumbarët e RENEA-s, të ndihmuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, bëjnë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit holandez, i cili u mbyt në ujë, teksa notonte në kanionet e lumit Osum.

Më datë 08.05.2023, shkoi në spitalin e Çorovodës, për ndihmë mjekësore, shtetasja holandeze H. (V. A.) C. S., 64 vjeçe, e cila deklaroi se së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin J. A. S., 68 vjeç, ishin futur për të notuar në kanionet e lumit Osum. 64-vjeçarja kishte mundur të dalë nga uji, ndërsa shprehej se bashkëshortin e saj e kishte marrë rrjedha e ujit. Menjëherë pas njoftimit, është organizuar puna nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar dhe polumbarët e Repartit Special “RENEA”, me qëllim gjetjen e shtetasit J. A. S.

Pas 3 ditësh kërkime të pandërprera në rrjedhën e lumit Osum, ekipi i specializuar i polumbarëve të RENEA-s kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 68-vjeçarit, në njërin nga kanionet e këtij lumi. Në kërkime u angazhuan edhe 2 pjesëtarë të federatës “Albania Rafting Group”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re