Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa ka publikuar një video nga leximi i emrave të delegatëve të Kamzës që kanë firmosur për mbledhjen e firmave për Kuvendin e datës 11 dhjetor.

Një ndër emrat e lexuar ishte edhe Përparim Kolaveri, i cili sipas Hasës ka qenë më parë përfaqësues i ish-kreut të PSD-së Tom Doshi.

Sipas Hasës, persona të skeduar si të lidhur me krimin dhe ortakët e Edi Ramës në atë që demokratët e quajnë “masakër zgjedhore”, Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, ndërhyjnë që të mbledhin firma për Sali Berishën.

“Në 8 vite, Partia Demokratike ka dënuar ashpër influencën e grupeve kriminale në politikë dhe ka zhvilluar një betejë të hapur kundër përfshirjes së tyre në politikë duke miratuar dhe ligjin e dekriminalizimit.

Është trishtuese që sot persona të skeduar si të lidhur me krimin dhe ortakët e Edi Ramës në masakrën zgjedhore, Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, ndërhyjnë që të mbledhin firma për Sali Berishën. Një ndër ta është edhe Përparim Kolaveri, përfaqësues i Tom Doshit që firmos si delegat për datën 11 dhjetor.

Është e qartë që përçarja e PD-së ështe interesi më i mirë i regjimit të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij non grata.

Demokratët do të vazhdojnë betejën e tyre kundër regjimit të Ramës  dhe tentakulave të tyre pranë PD-së. Demokratët kanë një dhe vetëm një kundërshtar, ai është Edi Rama dhe regjimi i tij.”- shkruan Hasa krahas videos.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re