As seanca parlamentare e kësaj të enjteje nuk ishte normale. Siç raporton gazetarja e Vizion Plus, Enkelejda Mema, pak minuta para nisjes së seancës, deputetët demokratë tentuan të futen me forcë brenda në sallë.

Mes tyre ishin edhe deputetët e përjashtuar për shkak të rrëmujës së shkaktuar në seancën e kaluar.

Ata u penguan nga punonjësit e Gardës së Republikës, që ishin vendosur në hyrje të Parlamentit.

Nuk munguan as përplasjet fizike.

Deputetët e PD u bënë pengesë edhe për ish-ministren Olta Xhaçka, e cila nuk u lejua të futet brenda në sallë nga hyrja kryesore.

Rezistenca opozitare sipas Sali Berishës do të vijojë deri në përmbysjen e regjimit.

“E ka mësuar tashmë çdo shqiptar se për Edi Ramën nuk ekziston më asnjë institucion në këtë shtet, përveç pushtetit të tij personal dhe karriges së tij, për të mbrojtur strikt interesat e familjes dhe sojit e sorollopit të vet. Deri në përmbysjen e këtij regjimi nuk ndërpresim rezistencën tonë”, tha Berisha.

Pas disa minutash përplasje, Garda hapi derën për deputetët, të cilët, edhe pasi u futën brenda, vijuan me akuzat dhe trazirat.

Mes tymueseve, PS miratoi me 74 vota pro rregulloren e re, e cila përjashton me 2 muaj deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend. Seanca parlamentare u mbyll pas 8 minutash.//

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re