Banorët e Sukthit janë ngritur në protestë ditën e sotme duke kundërshtuar depozitimin e mbetjet urbane të Durrësit në zonën e tyre.

Plehrat në Durrës kanë mbetur pa u hequr prej disa ditësh, pasi një skandal në lidhje me depozitimin e tyre ka përfshirë qytetin e dytë më të madh në vend. Plani ishte që plehrat do të depozitoheshin në landfillin e Sharrës, ndërsa Porto-Romano do të mbyllej e do të nisin ndërkohë punimet për ta shndërruar në një park të madh.

Por për shkak të mungesës së kapaciteteve nga ana e vendorëve në Durrës, nuk është bërë e mundur që plehrat të dërgohen deri në Tiranë dhe vendosën t’i dërgonin në Sukth. Banorët e zonës janë të vendosur për të mos i lejuar pranë zonës ku ata banojnë, që të shndërrohet në një Porto-Romano të dytë. Ata kanë mbledhur deri më tani 1000 firma në një peticion kundër plehrave.

Në kushtet kur Porto-Romano është mbyllur dhe në Sukth nuk i lejojnë, plehrat aktualisht kanë mbetur rrugëve e të bllokura një pjesë nëpër kamionë, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje.

“Këtu po bëhët një katastrofë mjedisore, po i heqin plehrat nga Durrësi dhe po na i sjellin ne. Nuk ka asnjë kusht që përmbushet për fushë plehrash, për më shumë janë buzë kanalit që shkarkojnë në det. Do t’i sjellim dhe pikë thonë. Përderisa këtu nuk ka kapacitet që të suportoje plehrat e Durrësit, çfarë do ndodhi do digjen , do helmohen banorët vazhdimisht.” u shpreh një nga banorët.

Ndërsa një tjetër banor tha se ata që po e bëjnë këtë nuk kanë asnjë lloj leje dhe se ky veprim duhet të hetohet.

” Këtu është për hetim prokurorie këtu është bërë një katrasrofë që nuk e di, duhet të vin spcialistt të shohn dëmin e madh që kanë bërë. Nuk kanë as leje mjedisore , nuk kanë lejen ë turizmit nuk kan asnjë lloji leje. Po na largojnë nga shtëpit tona.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re