Një njoftim mes banorëve të Unazës së Madhe se në zonë kanë mbërritur inspektorë të IKMT dhe ARRSH me harta në duar i ka detyruar ata të mblidhen në kohë rekord në shenjë rezistence ndaj projektit të Unazës së Madhe, rezistencë e cila tashmë ka hyrë në vitin e dytë të saj.

Sipas njoftimit zyrtar të ARRSH-së u është bërë thirrje banorëve të shpronësuar që të dorëzojnë dokumentet për tërheqjen e parave.

Ndërkohë vetë banorët e kësaj zone janë mbledhur me shpejtësi duke u shprehur të indinjuar mbi lëvizjet e fundit që po bëjnë instancat qeveritare.

Një nga banoret tha për Fax News se kjo lëvizje po bëhet në pabesi dhe në përpjekje për të përçarë banorët të cilët po mbrojnë banesat e tyre nga shembja.

Ata i kanë bërë thirrje kryeprokurores Arta Marku të vijë të hetojë dhe të ndalë këtë batërdi e padrejtësi të madhe.

“Zonja prokurore erdhët me premtimin se do të luftonit korrupsioni, por sot duhet t’ju them që kjo zonë do të lahet në gjak nëse do të ndërhyhet. Edhe një fëmijë e kupton që këtu ka një padrejtësisë të madhe. Këtu ka vetëm një shpjegim, që një i çmendur po na çmend të gjithëve. Do ta mbrojmë shtëpinë tonë me të gjitha mjetet, me të gjitha mundësitë”, u shpreh njëra nga protestueset.

“Kjo është skenë krimi, një gropë e madhe është bërë aty nga firma që kish marrë më parë tenderin.

Ndërsa shteti po bashkëpunon me krimin, neve qytetarëve na lind e drejta të mbrojmë Kushtetutën. Le ta provojnë të vijnë te shtëpia ime të parët, do të tërhiqen si gjermanët në Stalingrad”, u shpreh i revoltuar një tjetër banor.

Ndërkohë më herët vetë ARRSH njoftoi banorët e shpronësuar me VKM që të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme për të përfituar dëmshpërblimin, duke ‘këmbëngulur’ në vendimin e qeverisë për të vijuar me një projekt të denoncuar si aferë qeveritare korruptive.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=WkXSKsOJTFo]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re