Skip to content

(VIDEO) Lezhë – Kapet brenda pak minutash 38-vjeçari që vodhi automjetin, iu gjet edhe një celular i dyshuar si i vjedhur në Rinas

Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, vetëm pak minuta pasi vodhi një automjet në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave “Shqiponja” dhe Policisë Rrugore, autori i dyshuar, shtetasi L. L., u identifikua dhe u ndalua pa kaluar shumë kohë nga njoftimi i ngjarjes.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, policia gjeti dhe sekuestroi automjetin e vjedhur, si dhe një celular që dyshohet se është vjedhur më parë në zonën e Rinasit.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ky shtetas është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera të ngjashme në qarkun e Lezhës apo më gjerë.

Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore ndaj 38-vjeçarit.

Policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të ngjashëm, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe hetim të plotë të çdo vepre penale.