Protestuesit e mbledhur para selisë së PD ku do të nisë marshimi për të vazhduar deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë shpërthyer në një moment para se të mbërrinte ish kryeministri Sali Berisha.

Mësohet se ajo që ka acaruar turmën ka qenë fikja e dritave në korridorin e brendshëm të selisë së PD. Menjëherë pas këtij veprimi të gjithë protestuesit janë acarua duke vijuar me thirrjet e tyre kundër Bashës duke i kërkuar këtij të fundit të dilte dhe të largohej nga zyra ku ndodhej.

Sali Berisha ka thirrur sot një protestë kombëtare kundër mbërritjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç ditën e sotme, ftuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama në kuadër të iniciativës ‘Open Balkan’ ku deri më tani i janë bashkuar vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

I pranishëm në një takim 2 ditor në Shqipëri është dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ndërsa sot 3 liderët do të darkojnë në Elbasan në kompleksin e biznesmenit Gjergj Luca. Kësaj darke jo formale do ti bashkohet dhe Aleks Soros, djali i miliarderit George Soros i atakuar dhe nga ish-kryeministri Berisha si një nga influencuesit kryesor për shpalljen e tij ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Protesta e sotme do të nisë nga selia blu për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë ku do të flasin disa ish-funksionarë të PD-së. Mbi 2 mijë forca policore janë në gatishmëri për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ndërsa janë marrë masa shtesë sigurie në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit’.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re