Ka mbërritur pranë “Pallatit të Kongreseve” trupi i pajetë i nënkomisarit Saimir Hoxha, në nderim të të cilit pritet të mbajnë homazhe krerët më të lartë të shtetit, përfshirë presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Dhjetra kolegë, efektivë të Policisë së Shtetit dhe familjarë i janë drejtuar ambienteve të brendshme të pallatit të Kongreseve, ku do të bëhen homazhe në nderim të Hoxhës, i cili është shpallur dje dhe ‘Dëshmor i Atdheut”.

Saimir Hoxha u vra paraditen e djeshme në Lezhë, teksa ishte në krye të detyrës, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të mitur.

Nënkomisari ishte prej vitesh në radhët e policisë së shtetit, dhe kishte shërbyer në nivele të larta në disa qytete të vendit, ku së fundi ishte emëruar si oficer krimesh në Lezhë.

Arkivoli i Hoxhës është mbuluar me flamurin kombëtar, ndërkohë që në krye të kortezhit qëndronte dhe kreu i policisë së shtetit Ardi Veliu.

Homazhet për nënkomisarin e ndjerë pritet të zgjasin për rreth 3 orë, dhe më pas trupi i pajetë i Hoxhës do të prehet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë.

Saimir Hoxha, 44 vjeç me origjinë nga qyteti i Pukës, prej disa vitesh jetonte së bashku me familjen e tij në Tiranë, dhe për të shkuar në punë në Lezhë, e bënte çdo ditë rrugën vajtje -ardhje,.

Edhe të martën e 29 Shtatorit ai ishte në krye të detyrës, kishte lënë pas fëmijët dhe gruan, për ti shërbyer vendit, për të cilin ra edhe Dëshmor.

(E.K/Faxweb.al)

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re