Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit kancelarja gjermane Angela Merkel në vizitën e saj të dytë zyrtare në vendin tonë, pas asaj të mbajtur në vitin 2015.

Avioni i Merkel ka zbritur në pistën e Rinasit, ndërkohë që kancelarja është pritur nga ambasadori gjerman në vendin tonë dhe nga ministrja e jashtme Olta Xhaçka. Siç shihet nga pamjet Merkel nuk i jep dorën asnjë prej të pranishmëve, duke i përshëndetur me kokë mikëpritësit.

Xhaçka i ka uruar mirëseardhjen kancelares gjermane dhe përmes një postimi në rrjete sociale shpreh mirënjohjen për mbështetjen e Merkel për integrimin europiam të Ballkanit Perëndimor, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë.

“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin europiantë Ballkanit Perëndimor si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë”, shkruan Xhaçka.

I gjithë aerporti i Rinasit është nën masa të rrepta sigurie, ndërsa eskorta e saj tashmë është nisur në drejtim të Pallatit të Brigadave, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama, dhe më pas do të ketë një takim kokë më kokë mes të dyve.

Në mesditë Rama dhe Merkel do të kenë një konferencë të përbashkët me gazetarët, ku do ti përgjigjen edhe pyetjeve me interes të tyre. Kjo është hera e dytë që Merkel viziton Tiranën, të dyja herët nën qeverisjen e Edi Ramës.

Pjesë e diskutimeve në takimin mes Ramës dhe Merkel do të jetë marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve, dhe në aspektin ekonomik, si dhe prespektiva e Shqipërisë për integrimin në BE.

Axhenda e Merkel: 

10.20 – Ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave

10.30 – Takim Tête-à-tête mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave

11.00 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave

11.50 – Mbërritja e Kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park.

11.55 – Mbërritja e Kancelares Merkel në Tirana Business Park

12.00 – Foto Familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park.

14.35 – Konferencë për shtyp mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel në Tirana Business Park

Përpara vizitës në Tiranë Angela Merkel udhëtoi drejt Beogradit, ku u prit në takim nga presidenti Aleksandër Vuçiç, të cilit iu bë e qartë se pa zgjidhjen përfundimtare të çështjes me Kosovën, nuk ka integrim për në BE. Vuçiç nga ana e tij vlerësoi lart rolin e kancelares Merkel në zhvillimet në rajon, dhe tha se qeverisja e saj ishte një garanci e madhe për të gjitha vendet. (Lexo edhe ketu lajmin)

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re