Ky është momenti i ekstradimit të “Baronit të drogës”, Gëzim Çela nga Kosova në vendin tonë.

Gëzim Çela shihet me pranga në duar dhe ekstradohet nën masa të rrepta sigurie, shoqëruar nga disa makina policie e efektivë me skafanda dhe të armatosur. Në pamje shihet momenti kur autoritetet e Kosovës ua dorëzojnë të shumëkërkuarin e drejtësisë autoriteteve shqiptare në doganë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi policinë Shtetit dhe atë të Kosovës për bashkëpunimin që u finalizua me ekstradimin e kreut të një organizate kriminale.

“Përgëzoj Policinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë disamujor që u finalizua me ekstradimin e kreut të një organizate kriminale, i cili ishte i prej shumë vitesh i kërkuar nga drejtësia. Ky bashkëpunim po intensifikohet çdo ditë me agjencitë partnere kudo, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ministri Balla.

Gjykata Themelore në Ferizaj të Kosovës më 27 shkurt vendosi për lejimin e ekstradimit të Gëzim Çelës drejt vendit tonë, për shkak se 56-vjeçari i ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar.

GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Kush është Gëzim Çela?

Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa.

Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re