Lionel Mesi këtë herë solli buzëqeshje te tifozët indianë. Ai tregoi disa nga aftësitë e tij në fushë, ndërsa u dha edhe një mesazh tifozëve.
Ylli argjentinas i futbollit, Lionel Messi, solli festën në qytetin indian të Hyderabad-it, duke emocionuar tifozët.
Ai tregoi pak nga zotësia e tij së bashku me shokët e skuadrës së Inter Miami, Rodrigo De Paul dhe Luis Suarez, pas një ndeshjeje të ekipeve vendase.
Paraqitja e tij në fushë gëzoi tifozët, të cilët brohoritën kur patën mundësinë të shihnin yllin argjentinas, teksa shikonte ndeshjen.
Më pas, argjentinasi hyri në fushë, duke elektrizuar fansat e tij.
Ai takoi futbollistët dhe zyrtarët e ndeshjes dhe nisi të bënte disa pasime me shokët e tij, Suarez dhe De Paul.
Në vazhdim, ylli argjentinas falënderoi tifozët që kishin ardhur në stadium, ndërsa vazhdon turneun e tij në Indi.
“Përshëndetje të gjithëve! Nuk kam shumë për të thënë, thjesht një falënderim për dashurinë tuaj! E vërteta është se kam parë shumë gjëra para se të vija këtu, gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë Kupës së Botës së fundit, dhe ju falënderoj shumë për gjithë dashurinë tuaj. Është një nder për ne që të mund t’i ndajmë këto ditë këtu në Indi me ju, ndaj jam shumë mirënjohës!”
Vizita e tij e mëparshme në qytetin e Kalkutës solli kaos.
Tifozët hodhën objekte, shkatërruan stolat dhe u futën në fushë gjatë një eventi, pasi ylli i futbollit bëri vetëm një paraqitje të shkurtër në stadium, duke irrituar njerëzit që prisnin që lojtari të qëndronte më shumë.
