Dr. Megi Lekbello ka folur për rëndësinë e dietës dhe aktivitetit fizik në menaxhimin e obezitetit, në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”.
Sipas mjekes endokrinologe, për humbjen e peshës është e nevojshme krijimi i një bilanci negativ kalorik, ndërsa dieta duhet parë jo si një regjim afatshkurtër, por si një stil jetese i shëndetshëm.
“Dieta dhe aktiviteti fizik janë shumë të rëndësishme, sepse në fund fare e gjitha është në bazë kalorazhi. Dy shtyllat kryesore janë dieta dhe aktiviteti fizik”, shprehet Lekbello.
Ajo thekson se një ushqyerje e shëndetshme duhet të bazohet te ushqimet e papërpunuara, perimet, yndyrnat e shëndetshme dhe proteinat me vlerë të lartë biologjike, duke kufizuar ushqimet ultra të përpunuara, sheqernat dhe yndyrnat e saturuara.
Ndërsa sa i përket aktivitetit fizik, mjekja nënvizon se qëllimi nuk është domosdoshmërisht stërvitja intensive, por ruajtja e masës muskulore gjatë rënies në peshë.
“Kur të biem nga pesha, duhet patjetër që muskulin ta ruajmë”, thotë ajo, duke rekomanduar aktivitetin aerobik dhe veçanërisht ushtrimet e forcës, me pesha ose me peshën e trupit, në varësi të gjendjes shëndetësore dhe mundësive të pacientit.
