Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj në Klos.

Siç raporton gazetari i Fax News në vendngjarje, kërkimet po bëhen me kontrolle në bregun e lumit, në ujë nga polumbarët si dhe me dronë.

Operacioni po zhvillohet në një gjatësi prej 25 km nga vendi ku ka ndodhur aksidenti deri në hyrje të liqenit të Ulzës, në fshatin Urakë të Matit.

Në terren janë mbi 300 forca të përbëra nga shërbimet zjarrfikëse të Bashkive Mat e Klos, të Forcave të Armatosura, shërbimet e mbrojtjes civile, polumbarët e forcave RENEA e vullnetar të tjerë.

Prurjet e lumin Mat kanë rënë ndjeshëm por është vështirë konstatimi i trupit për shkak të veshjeve tekstile apo mbeturinave të tjera që kanë ngecur në bimësinë anash lumit.

Po ashtu, dyshohet se 30 vjeçari mund të jetë mbuluar edhe nga zhavori çka e vështirëson akoma më shumë gjetjen e tij për shkak se uji është ende i turbullt.

30-vjeçari Jurgen Karaj, banues në fshatin Fullqet, dyshohet se është marrë nga rrjedha e një përroi në fshatin Darsë, pas një aksidenti të ndodhur disa ditë më parë.

Sipas hetimeve, Jurgen Karaj ndodhej si pasagjer në automjetin që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha, i cili humbi kontrollin dhe përfundoi në përrua. Nga verifikimet rezulton se drejtuesi i mjetit ka arritur të dalë nga uji, por është larguar nga vendngjarja pa njoftuar policinë dhe pa i dhënë ndihmë mikut të tij, i cili mbeti në mes të rrjedhës së ujit.

Pas ndalimit, Andi Losha iu nënshtrua testit të alkoolit, ku rezultoi se e kishte drejtuar automjetin në gjendje të dehur në momentin e aksidentit, i cili ka ndodhur rreth orës 01:30 të mëngjesit.

24-vjeçari akuzohet për largim nga vendi i aksidentit dhe mosdhënie ndihme, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, Jurgen Karaj vijon të rezultojë i zhdukur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re