Napoli është rikthyer sërish në krye të klasifikimit të Serie A pas javës së 13-të. Të kaltrit fituan 1-0 në “Maradona” kundër Romës me golin e Lukakut në minutën e 54-t.
Një sulm nga e djathta dhe forma e mirë e Di Lorenzos solli asistin e kapitenit për belgun, që nga pranë nuk gaboi dhe e shtyu sferën në portën e Svilar. Sukses minimal për Napolin që me 29 pikë merr kreun e Serie A, duke lënë pas Atalantën, Interin dhe Fiorentinën me 28 pikë.
Ndërkohë Romës nuk i bëri punë as rikthimi i Claudio Ranierit në stol, teksa ndodhen në pozitën e 12-të me 13 pikë dhe “shijojnë” humbjen e tretë radhazi.
Në “Luigi Ferraris” Genoa dhe Cagliari barazuan 2-2 në një sfidë me raste dhe lojë të fortë sportive. Për miqtë nga Sardegna titullar Alen Sherri, portieri i Kombëtares që për të dytën ndeshje radhazi “çimenton” vendin mes shtyllave. Dueli u hap nga Marin në minutën e tetë për miqtë me penallti, para se Frendrup të barazonte dhe të mposhtet për herë të parë Sherrin.
Pjesa e dytë nisi me golin e Mirettit te vendasit, ndërsa duhej sërish një penallti që Piccoli të barazonte rezultatin për sardët. Notë pozitive për Sherrin që luan sërish nga minuta e parë. Te Genoa trajneri i ri Patrick Vieira debuton me një pikë.