Mjeku Polikron Pulluqi, në një prononcim për gazetarin e ‘News24’, Erjon Skëndaj, ka treguar njohjen me hematologun Arjan Pushi, i cili ndërroi jetë nga koronavirusi.

Pulluqi tha se mjeku Pushi ishte i kujdesshëm për shkak të pandemisë, ndërsa theksoi se shkonte në punë me maskë që prej janarit. Mjeku tha se humbja e Arjanit është e madhe, jo vetëm për familjen, por dhe për kolegët e tij.

“Kishim gati 40 vite njohje. Humbja e Arjanit është e madhe, jo vetëm për familjen, por dhe për Hematologjinë. Ai ishte një pedagog i vjetër, kishte vite për të dhënë nga vetja. U nda nga jeta për shkak të COVID. Ai ishte shumë i kujdesshëm. Qëndronte që në janar me maskë. I bëj thirrje opinionin që të mbrohen nga COVID-19, pasi është i padukshëm. Harrojeni edukatën, por mbani distancë. Jemi të frikësuar, por jemi mësuar. Unë do të vij të shërbej në spital, edhe pse e di se një pjesë e pacientëve mund të jenë me COVID-19. Por kjo është puna ime. Askush se di se ku merret COVID.”, tha ai.

Ndërkohë, mjekja e Hematologjisë Adela Perolla tha se humbja e tij ishte e madhe për familjen, por dhe për kolegët.

“Kam qenë specializantja e tij. Mik i mirë. Humbja e tij është shokuese. Për më tepër që i njohim jo vetëm si kolegë, por dhe familjen e tij. Është tmerrësisht e rëndë. Të thuash ngushëllime është e pakët, fjalët nuk zënë vend. Kemi humbur kolegun tonë, mikun tonë. Njeriun që kam 20 vite që punoj në shërbimin e Hematologjisë. COVID është i rrezikshëm, duhet të mbrojmë familjen. Unë jetoj vetëm, që prej 8 marsit.”,- tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re