Policia Rrugore njofton se po vijon kontrollet me radar për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore gjatë fundjavës. Në aksin rrugor Sauk-Teg, radari ka kapur automjete që qarkullojnë me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.
“Mos shpejto të arrish aksidentin. 200 km/h. 10 patenta të pezulluara prej orës 21.00 e deri në orën 00.30 për shpejtësi që varion nga 157 km/h deri në 200 km/h në aksin rrugor Sauk-Teg. Shpejtësi avioni që të vret jetën. Mos abuzoni me shpejtësinë dhe alkoolin se në rastin me të mirë ju pret polici në rrugë” njofton Policia.
Kjo nuk është herë e parë që policia njofton për shpejtësi të këtyre niveleve në këtë aks rrugor. Edhe pak ditë më parë, u bllokuan patenta për shkak të tejkalimit të shpejtësisë nga drejtuesit e automjeteve.