Finalizohet operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të shitjes së lëndëve narkotike dhe kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
✅ U ekzekutuan 5 masa sigurie “Arrest në burg” për pjesëtarët e një grupi që shiste lëndë narkotike dhe kultivonte bimë narkotike.
Gjatë operacionit, në fshatin Jaupas, Skrapar, u gjetën dhe u asgjësuan 122 bimë narkotike Cannabis Sativa.
Në kuadër të procedimit penal dhe veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, nga strukturat për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcën Operacionale të DVP Berat, nën drejtimin e Prokurorisë Berat, u finalizua operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”, për goditjen e një grupi që kultivonte dhe shiste lëndë narkotike.
Gjatë këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve:
-
M. Q., 25 vjeç dhe S. H. (Q.), 30 vjeç (vëllezër), banues në Poliçan;
-
A. Z., 41 vjeç, banues në fshatin Gostenckë, Skrapar;
-
E. K., 33 vjeç, banues në Poliçan;
-
S. Ç., 28 vjeç, banues në fshatin Jaupas, Skrapar.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryetari i fshatit Jaupas, Skrapar, shtetasi S. Ç., 46 vjeç (vëllai i shtetasit të arrestuar S. Ç.).
Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan:
-
3 krehra arme zjarri automatike,
-
3 koka të dyshuara me përmbajtje eksplozivi,
-
tub uji që dyshohet se furnizonte parcelën me 122 bimë narkotike.
Gjatë këtij operacioni u ushtruan 15 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera, ku u sekuestruan në total:
-
1 armë gjahu çifte,
-
lëndë narkotike Cannabis Sativa,
-
7 aparate celularë,
-
shuma monetare, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij grupi, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
