Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar sërish me kritika ndaj qeverisë Rama sa i përket situatës së menaxhimit të koronavirusit. Për Palokën kryeministri nuk është treguar serioz në lidhje me këtë situatë, por sipas tij ka bërë show me qytetarët.

Në rrjetin social “Facebook” Paloka ka publikuar një video-mesazh bashkangjitur së cilës shkruan se qeveria i ka lënë në mëshirë të fatit familjet shqiptare.

Ndërkohë që vendi vazhdon të mbetet izoluar për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndonëse është komunikuar për paketa ekonomike dhe lehtësim të masave, sipas ekspertëve të ekonomisë situata mbetet ende e vështirë.

Paloka denoncon Ramën se paguan miliona për oligarkët e tij, por për lotët e nënave shqiptare nuk ka ofruar zgjidhje.

“Është e dhimbshme të shohësh në ekrane nëna që kanë humbur gjithçka, se qeveria i ka lënë në mëshirë të fatit. Është revoltuese t’i dëgjosh që këto nëna numërojnë qindarkat e mbijetesës, ndërsa Edi Rama bën cirk me dhimbjen e tyre dhe paguan miliona lekë në ditë me klientët.

Ky klloun nuk e ka vendin në kryeministri. Mijëra nëna nuk i meritojnë lotët e mjerimit vetëm se Edi Rama ka zgjedhur të paguajë miliona për oligarkët e vet dhe pak apo aspak për mbi 2 milionë shqiptarë”,- shkruan Paloka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re