Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka reaguar më në fund për ngjarjen e rëndë të regjistruar disa ditë më parë ku një minorene denoncoi përdhunimin nga një 65-vjeçar në Babrru dhe që ky i fundit kishte vijuar abuzimin me shantazhin e publikimit të një video intime.

Shahini shprehet se përgëzon kurajon e të miturës për denoncimin e rastit në fjalë teksa flet për patriarkalizma dhe ‘shkolla të sigurta’.

Ajo ka fajësuar në njëfarë mënyrë edhe mediat duke u shprehur se duhet të trajtojnë më ndjeshëm problematika të tilla, teksa i është referuar një gazetareje që sipas saj, me pyetjet e ngritura, dha përshtypjen se fajtore ishte viktima.

“Përgëzoj nxënësit që gjejnë kurajon të denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre, si hapi i parë dhe i domosdoshëm për të luftuar bullizmin dhe dhunën. Politika “shkolla si hapësirë e sigurt” do të ndihmojë në këtë drejtim. Por, duhet bashkëpunim i të gjithëve për të ndryshuar kulturën patriarkale që mundëson dhunën ndaj vajzave dhe grave”, shkruan Shahini.

“Do të flasim për bullizmin, dhunën gjinore. Denoncimi është e vetmja mënyrë që institucionet të ndërhyjmë dhe të mbrojnë të dhunuarit. Faji dhe turpi i takojnë dhunuesit dhe abuzuesit dhe nuk është turp të denoncojnë. Shkolla duhet të kthehet në një ambjent të sigurt që nxënësi të besojë të tregojë dhunën dhe abuzimin. Janë vendosur tashmë protokollet e veprimit të shpejtë, në mënyrë që sapo të bëhet një denoncim, të përjashtohet nga puna abuzuesi dhe të ndiqet penalisht.

Kjo ka ndodhur me raste të tilla deri më tani dhe po përballen me drejtësinë dhe po vuajnë dënimin. Duhet që jo vetëm kaq, por të ndryshojë edhe kultura, edhe media duhet të bëjë më shumë të raportojë në mënyrë më të mirë dhe të ndjeshme. U raportua nga një gazetare duke lënë përshtypje me pyetjet e saj sikur është viktima fajtor për çfarë kishte ndodhur”, tha ndër të tjera Shahini.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re