Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar situatë problematike në disa rrugë të qytetit të Durrësit.

Situata më e rënduar është shfaqur këtë të premte, në rrugët pranë Stadiumit “Niko Dovana”, si dhe në disa segmente të tjera, përfshirë shëtitoren “Taulantia”.

Niveli i ujit ka kaluar mbi trotuare, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

 

Pas ndërprerjes së reshjeve, uji është tërhequr gradualisht, por sipas autoriteteve, reshjet me intensitet të parashikuar në orët në vijim mund të krijojnë sërish problematika të ngjashme, duke i kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Më herët mëngjesin e sotëm, Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar se qytetarët mund të përballen me kushte të këqija moti, ndaj duhet të tregohen të kujdesshëm.

“Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e premte qyteti i Durrësit pritet të përballet me reshje të dendura shiu, shtrëngata dhe erëra të forta.

Duke qenë se këto kushte atmosferike mund të sjellin problematika të ndryshme, u bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit me automjete dhe të marrin masa për sigurimin e objekteve në hapësira të jashtme.”, thuhej në njoftimin e Bashkisë së Durrësit.

Edhe gjatë muajit janar, Durrësi ishte një ndër qytetet më të prekur nga përmbytjet. Ndërsa një ditë më parë, Prokuroria nisi zyrtarisht hetimet duke sekuestruar dokumentacionin e projektit për ndërhyrjen në argjinaturën e lumit Erzen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re