Rrugë të shkatërruara, makina të mbuluara nga balta dhe mbeturinat, si dhe banesa të përmbytura.

Kjo është panorama që lanë pas përmbytjet që përfshinë disa zona në Athinë.

Banorët u panë duke gërmuar për të nxjerrë automjetet e bllokuara dhe duke pastruar shtëpitë nga gurët, balta dhe uji.

“Erdhi si një lumë. Uji ishte rreth gjysmë metri i lartë dhe me vete solli mbeturina. I gjithë mali u shemb poshtë”, tha një banor.

Autoritetet lokale thanë se, pavarësisht masave mbrojtëse, uji shkaktoi shembje të rrugëve dhe dëme të mëdha materiale.

Sipas autoriteteve, në Glyfada do të shpallet gjendje emergjence dhe banorët janë thirrur të raportojnë dëmet për të kërkuar dëmshpërblim.

Bilanci është tragjik: një grua humbi jetën pasi u godit nga një makinë e marrë nga rrjedha e ujit, ndërsa një tjetër person u përmbyt nga dallgët në Peloponez.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 900 thirrje për ndihmë në Athinë.
Shkollat janë mbyllur dhe linjat detare janë pezulluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re