Gjykata e Posaçme e Apelit dha sot një nga vendimet më të rëndësishme që prej krijimit të saj, dënimin me burg të zyrtarit të parë të lartë në Shqipëri, Adriatik Llalla, me dy vite heqje lirie, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Teksa u kthye nga Gjermania për përballjen e tij me drejtësinë, Adriatik Llalla është zhdukur këtë të mërkurë, në ditën kur policia duhet të ekzekutojë vendimin për arrestimin e tij. Fax News ka qenë sot në afërsi të banesës së Llallës, ku është parë të dalë prej andej vetëm bashkëshortja e tij, ndërkohë që vendndodhja e ish-prokurorit nuk dihet ende.
Avokati i tij Sokol Hazizaj, një javë më parë tha se Llalla ndodhej në regjim spitalor për shkak të një sëmundje të rëndë nga e cila vuan, mirëpo në fundin e seancës së sotme ku u dha dënimi, ai tha se nuk kishte dijeni mbi vendndodhjen e Llallës.
Nuk përjashtohet mundësia që Llalla të jetë larguar jashtë vendit, me frikën e një dënimi me burg ndaj tij, duke qenë se presioni edhe ndërkombëtar për këtë vendim ka qenë shumë i madh. Të gjitha seancat ndaj Llallës qoftë në GJKKO dhe qoftë në apelin e posaçëm janë ndjekur nga afër nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë, ndërsa ish-kryeprokurori është cilësuar peshk i madh që në kohën kur në Shqipëri ambasador ishte Donald Lu.
Procedura e do që Policia të shkojë në banesën e dhënë nga Llalla si adresë, dhe në rast se ai nuk gjendet, atëherë me shumë gjasa do të bëhet edhe shpallja e tij në kërkim. Vetë Hazizaj nuk pranoi që të komentonte një skenar të tillë duke e quajtur vendimin e apelit skandaloz, dhe një copy paste të vendimit të dhënë në shkallën e parë.
Llalla u mor i pandehur nga SPAK pas një hetimi të nisur për të që prej vitit 2018 nga prokuroria e Durrësit e më pas ish prokuroria e krimeve të rënda. Ish kryeprokurori u shpall fajtor lidhur me 3 episode, fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3 të banesës së tij.
Vendimi i dhënë sot nga GJKKO e pengon Llallën që të ushtrojë funksione publike në 5 vitet e ardhshme, si dhe pritet që të bëhet sekuestrimi i të paktën 8 pasurive të tij. Adriatik Llalla, njeriu që do të duhet të hetonte korrupsionin dhe krimin e nivelit të lartë, bëhet kështu ”viktima” e parë e drejtësisë së re, që edhe pse ka nisur të ndërtohet prej kohësh, frutin e parë do të ketë pikërisht ish-kryeprokurorin.
Karriera e Llallës:
Llalla ka kryer studimet e Larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Drejtësisë, Titulli Jurist. Në muajin Janar të vitit 1998 ka filluar karrierën profesionale si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje. Më pas u emërua Prokuror në këtë Prokurori detyrë në të cilën punoi nga viti 1999‐2002.
Nga viti 2002‐2003 ka punuar si Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2003 është emëruar Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier detyrë në të cilën ka punuar deri në vitin 2005. Nga viti 2005‐2008 ka punuar si Zv.Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2006 zgjidhet anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga viti 2007‐2008 ka qënë Kryetar i Këshillit të Prokurorisë.
Më datë 4 Maj të vitit 2010 zgjidhet Kryetar i Rrjetit të Ekspertëve të Integritetit, pjesë e të cilit janë institucionet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive për shtetet e Europës Jug‐Lindore dhe disa vende të tjera të Europës. Në vitin 2011 ka përfunduar Masterin për “Të Drejtë Penale”, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
Në vitin 2012 Llalla u zgjodh në krye të prokurorisë së përgjithshme, mandat të cilin e ushtroi deri në fund të vitit 20197, kur u zëvendësua nga e përkohshmja Arta Marku, ndërkohë që tashmë detyra e prokurorit të përgjithshëm ushtrohet nga Olsian Çela.
(E.K/Faxweb.al)
…
/faxweb
