Tiranë

Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve kontrolle intensive me mjete të paloguara dhe punonjës të Policisë Rrugore civilë me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor.

Kontrollet janë përqëndruar kryesisht në drejtim të shkeljeve për mosvendosje të rripit të sigurimit nga drejtuesit e mjeteve por edhe nga pasagjerët.

Më tej kontrollet janë përqëndruar edhe në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, që kryejnë parakalime të gabuara, shkelin semaforin, zhvillojnë gara shpejtësie si dhe ndaj atyre që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Si rezultat gjatë tre ditëve të fundit janë ndëshkuar:

•178 drejtues mjetesh me masë administrative gjobë 15.000 prej lekësh, pasi është konstatuar se pasagjerët në secilin automjet nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.

•143 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me masë administrative gjobë nga 10.000 deri në 15.000 lekë për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit

•17 drejtues mjetesh për gara shpejtësie janë ndëshkuar me masë administrative gjobë prej 40.000 lekësh.

•janë pezulluar 135 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 36 të tilla për drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

•26 drejtues mjetesh me 20.000 deri në 30.000 lekë për shkelje të semaforit

Gjithashtu, gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “Gjergj Legisi”, efektivët e Komisariatit Rajonal te Policisë Rrugore Tiranë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. K., 35 vjeç, i cili e drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit. Drejtuesi i mjetit me qëllim për t’i shpëtuar pezullimit të lejes së drejtimit të mjetit, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore një shumë prej 5.000 lekësh. Shtetasi A. K. është arrestuar në flagrancë për konsumimin e veprës penale “Korrupsion aktiv ndaj personave qe ushtrojne funksione publike”.

Kontrollet kanë sjellë rezultate gjithashtu dhe në heqjen e 18 palë targave të huaja të skaduara si dhe janë bllokuar 11 automjete luksoze, të cilat i kanë kaluar Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme në DVP Tiranë, me qëllim verifikimin e mëtejshëm.

Nisur nga fakti se përgjatë fundjavës ka fluks të shtuar në hyrje-daljet në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën por edhe në rrugët e brendshme të kryeqyetit, Policia Rrugore e Tiranës në bashkëpunim me shërbimet e tjera do ushtrojnë kontrolle përmes grupeve të dedikuara, me qëllim parandalimin e ngjarjeve fatkeqe rrugore.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falenderon drejtuesit e mjeteve si dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për më shumë rregull e siguri në rrugë, në favor të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re