Prej pasdites së djeshme naftëtarët e rafinerisë së Ballshit ndodhen në protestë e cila është shoqëruar paraditen e sotme edhe me tensione dhe përplasje, ndërsa kërkojnë kalimin e pagave të prapambetura.

Punëtorët e rafinerisë janë shprehur se prej pesë muajsh nuk kanë marrë asnjë pagë, ndërsa kanë bllokuar që prej mbrëmjes së kaluar edhe derën hyrëse në uzinën e Ballshit.
Raportohet se brenda uzinës janë bllokuar edhe pesë autobote që ishin futur për tu ngarkuar me squfur.

Siç shihet edhe nga pamjet e mëposhtme ka pasur edhe tensione mes punëtorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë tek hyrja kryesore e uzinës, pasi punëtorët nuk lejojnë futjen e autoboteve.

“Kompania nuk ka shpallur faliment kështu që me ligj të na hedhin pagat dhe detyrimet”, janë shprehur punëtorët.

“Deri tani nuk ka dalë asnjë makinë, nuk është vendimi im nëse qeveria nuk vendos të negocioj, por unë personalisht do të sjell gjithë familjen time këtu”, u shpreh një protestuese.

“Ne kemi mbetur jetim, kemi një deputet zone, e keni parë të vijë të bëjë një takim me ne, Ismet Beqiri, ka qenë edhe drejtues i uzinës, pse nuk ka kërkuar një interpelancë në media.

Ne nuk presim reagimin e qeverisë, sepse fëmija po nuk qau për bukë nëna nuk i jep. Po I them ministres, ktheje veten në një nënë, në një prind, a kanë fëmijët e tu për të ngrenë, sepse Mallakastra sot është pa bukë.

Kërkesa jonë është pagat e prapambetura dhe rikthim i punës. Nëse qeveria ka vullnet zgjidhja gjendet për 24 orë. A pyet kjo qeveri si jeton ky komunitet”, tha njëri nga protestuesit.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=FgxCXlPXoLg]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re