VIDEO/ PSG i rrëmben talentin Barcelonës

Befasia e merkatos së janarit ka ndodhur në aksin Barcelonë–Paris.

Kampionët e Europës kanë transferuar talentin e katalanasve, Dro Fernandez, i formuar në akademinë “La Masia” dhe që në këtë sezon bëri debutimin me Barçën. Ai shihej si ylli i së ardhmes dhe si lojtari që mund të bënte epokë me fanellën blaugrana.

Por 18-vjeçari spanjoll kërkonte më shumë minuta dhe ishte i pakënaqur me ekipin katalanas, duke lënë të hapura dyert e një largimi.

Sapo PSG e mësoi këtë fakt, ishte gati të paguante klauzolën e tij prej 8.5 milionë eurosh për ta vendosur në shërbimet e trajnerit Luis Enrique.

Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe lojtari ka dalë në stërvitje me PSG-në.

Dro ka firmosur një kontratë deri në vitin 2030 me kampionët e Europës dhe shpreson që në Paris të marrë minutat që nuk iu premtuan nga trajneri Flik te Barcelona.

Kjo nuk është hera e parë që shumë lojtarë të talentuar largohen nga katalanasit që në hapat e parë të karrierës, pasi mendojnë se aty nuk do të kenë hapësira. Pike, Fabregas, Erik Garcia dhe Dani Olmo kanë qenë disa të tjerë, por të gjithë janë rikthyer.