Gazetari i kronikës Artan Hoxha ka publikuar pamjet e sulmit me armë me kallashnikov të ndodhur pak ditë më parë në fshatin Rrilë të Lezhës.
“Të frikshme përmasat e sulmit me Kallashnikovë në fshatin Rrilë të Lezhës.
Fuqia e zjarrit ndaj berberanës së Sokol Dacit, i plagosur rëndë, duket si një sulm kartelesh në Amerikën Latine.
Vetëm Zoti, duket se u tregua i mëshirshëm, pasi bëri të mundur të shpëtohen nga vdekja e sigurtë, jetët e personave që ndodheshin brenda berberanës dhe jashtë saj, në një hapsirë prej 10 metrash katrorë.
Në pamje, momenti kur dy autorë të armatosur me Kallashnikovë, të dyshuar si pjestarë të fisit Ndokaj, hapin zjarr mbi berberanën e Sokol Dacit, brenda së cilës ndodheshin dy pjestarë të fisit Nikulaj dhe një efektiv policie mik i tyre.
Në shkëmbimin e zjarrit dyshohet se janë përfshirë të paktën 4 persona, dy me pistoleta nga brenda lokalit dhe dy me Kallashnikovë nga jashtë lokalit”, shkruan Hoxha në postimin e tij në Facebook.
Atentati u regjistrua mbrëmjen e 2 shkurtit në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, në Lezhë, ku një person mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri, gjatë një sulmi ndaj një berberhaneje.
Lidhur me ngjarjen, policia e Lezhës shpalli në kërkim 4 persona, tre të rinj nga fisi Ndoka dhe Merando Nikulajn që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit dhe ndodhej brenda në berberhane, i shoqëruar nga polici me iniciale B.K. i cili u ndalua me urdhër të prokurorisë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Merando Nikulaj ka qenë bashkë me policin me iniciale B.K. duke darkuar dhe pasi kanë përfunduar darkën kanë shkuar në Rrilë për t’u qethur. Dyshohet se autorët të cilët kanë qenë me dy automjete, një “Audi” dhe “Passat” i kanë vëzhguar dhe kanë ndjekur lëvizjet e tyre deri kur kanë mbërritur në berberhane dhe më pas ka ndaluar duke zbrituar nga makinat. Dy kanë qëlluar me armë zjarri.
Ndërkohë ka pasur edhe shkëmbim zjarri, polici në berberhane është kundërpërgjigjur. Brenda në berberhane është gjetur një çantë krahu me një krehër brenda, por ishin hequr kartat e identitetit. Ka dyshime për një armë të dytë të përdorur nga personat që ndodheshin brenda në berberhane.
Shkaqet e ngjarjes dyshohet një konflikt midis të rinjve të fisit Nikulaj dhe Ndoka të ndodhur në 9 mars 2025 në Shëngjin. Ngjarja e cila asokohe nuk u hetua siç duhet nga policia dhe zyrtarisht deklaroi se ishte aksident me motor dhe makinë.



