Qentë e rrugës janë kthyer prej disa javësh në një shqetësim serioz për banorët e qytetit të Beratit, që të frikësuar nga prania e tyre në çdo rrugë e lulishte, nuk qarkullojnë më në këmbë nëpër qytet, pasi bie muzgu.

Të paushqyer dhe të pavaksinuar, ata janë kthyer prej disa javësh në shqetësim serioz në qytetin muze.

Ata i sheh në çdo moment të enden dhe të qarkullojnë në rrugët e qytetit, ndërkohë që situata paraqitet më problematike gjatë mbrëmjeve dhe gjatë natës, kur të lehurat e tyre në tufë po i lënë të gjithë pa gjumë.

Pamjet filmike janë aspak të këndshme, në to duken qartë kope qensh që kanë pushtuar qytetin, që lehin pa pushim nëpër rrugë dhe që ndjekin ngado jo vetëm njerëzit, por edhe automjetet, duke u shndërruar kështu në një rrezik serioz për jetën e njerëzve.

Vrasja e qenve endacake vite më parë nga ana e bashkisë së Beratit solli reagimin e shoqatave në mbrojtje të kafshëve, gjë e cila bëri që bashkia mos të kryejë më të tilla aksione, ndërkohë që mungojnë fondet për trajtimin e tyre dhe në këto kushte ata enden rrugëve./ BalkanWeb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re