Kryeministri Edi Rama nga Lezha nuk ka lënë pa ironizuar kundërshtarët e tij politikë. Një prej tyre është edhe Salvador Kaçajn, të cilin dikur në vitin 2011 Rama e prezantonte vetë si një kampion ambicioz.
Por, duket se Rama ka harruar se vite më parë ishte vetë ai i cili deklaronte se ndjehej i privilegjuar që kishte në skuadrën e tij, Kaçajn, ndërsa sot është po kryeministri që e ironizon.
Cilin Ramë të besojmë? Atë që kur e kishte në krahun e tij Salvador Kaçajn e konsideronte si kampion me ambicie apo Ramën e sotëm të lodhur nga pushteti që sulmon çdokënd që ka përballë?
Deklarata e Ramës sot, 7 maj 2023
“Këta duan të votojnë një kryetar bashkie një njeri që thotë, po ua jap fjalën atyre që kanë shkollë më shumë se unë. E Kush i del më me shkollë, Salvadori! O Zot… Më çoi Ulsiu videon e thash do të dalë ndonjë akademik, por doli Salvadori. Hej Zot. Që më çoi fjalë mua; “Shefi tha,-kam gabuar dua të kthehem në rrugë të mbarë. Ik o Salvador i thashë, ik se ke shumë shkollë për mua ti,-i thashë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Deklarata e Ramës në vitin 2011:
“Mirdita të gjithëve, dëshiroj të komunikoj përpara jush në krah të ish-kapitenit të skuadrës Kombëtare Shqiptare të Futbollit dhe sot i zgjedhur nga komuniteti i Shëngjinit për të kthyer edhe Shëngjinin në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të zhvillimit social, ekonomik dhe urban. Unë jam i privilegjuar që t’ja jap fjalë të sapo zgjedhurit nga banorët e Shëngjinit duke e falënderuar për pjesëmarrjen e tij jashtëzakonisht brilante në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për vendin dhe komunitetin që sot Salvadori përfaqëson”, tha Rama, duke shtuar”: “Ish-kapiteni i kombëtares sot vjen në fushën e administrimin vendor si një kampion me ambicie për të bërë një komune kampione me respektin për çdo qytetar.
